Furtunë në Prokurorinë e Përgjithshme, Arta Marku shkarkon njerëzit e Llallës

614
Tre lëvizjet e para kanë ardhur në këtë fundvit me vendim të Kryeprokurores së përkohshme, po dje ajo pati edhe një takim me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj
Nuk kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë, nga koha kur Arta Marku mori detyrën dhe u betua mes flakadanëve në Kuvendin e Shqipërisë. Në heshtje dhe pa bërë asnjë deklaratë publike, duket se Marku ka nisur nga detyra më herët se sa pritej. Të parët që kapi lapsi i Markut, ishin ata prokurorë, të cilët janë njohur për lidhjet e tyre të afërta me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Paraditen e djeshme, Marku ka firmosur shkarkimin nga detyra të drejtoreshës së Marrëdhënieve Juridiksionale me jashtë, Rovena Gashi. Në vend të saj është caktuar njëri nga garuesit me Prokuroren e Përgjithshme Marku, Arqile Koçi, prej vitesh prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Arqile Koçi do të ketë gjithashtu nën varësi edhe sektorin, që sipas ligjit të dekriminalizimit, verifikon integritetin e zyrtarëve. Ndërkohë, prokurorja Rovena Gashi është caktuar prokurore pranë sektorit të dekriminalizimit, pikërisht sektor në të cilin zonja Gashi firmosi së fundmi kërkesën për heqjen e mandatit për dy deputetë Aqif Rakipi dhe Gledion Rahovica. Lëvizjet e kryeprokurores Marku kanë vazhduar me Alketa Ziflën, që e ka marrë si krahun e saj të djathtë, si shefe kabineti. Me këtë emërim, nisin edhe lëvizjet e para në prokurori. Një tjetër lëvizje e madhe është bërë paraditen e djeshme. Është shkarkuar nga drejtimi i Prokurorisë më të madhe në vend, Petrit Fusha dhe në vend të tij është emëruar Dritan Rreshka, i diplomuar për magjistraturë dhe një nga liderët e njësisë Task Forcë të ngritur vite më parë me mbështetjen e amerikanëve. Rreshka zëvendëson ish-eprorin e tij Petrit Fusha, i cili kalon prokuror sektori për çështje të veçanta. 
Marku takim 30 minuta me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafa
Në fakt, përpara se të kryente lëvizjet, e premtja e Prokurores së Përgjithshme ka nisur me një takim në zyrën e saj me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili qëndroi në organin e akuzës për 30 minuta. Sikurse njofton zyra e shtypit në qendër të takimit ishte, jo vetëm forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve shpesh në marrëdhënie delikate me njëra-tjetrën. Dy zyrtarët kanë diskutuar edhe për procesin e Vetingut, që përveçse në sistemin e drejtësisë është në zhvillim edhe në radhët e Policisë së Shtetit. Marku-Xhafaj kanë rënë dakord të përdorin komunikimin intensiv si një ndër armët për të dy procedurat respektove të vetingut, në mënyrë që siç thuhet në njoftimin zyrtar, të realizohet pastrimi i institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë nga zyrtarët me probleme.
Salianji: Ajo që pritej nisi të vihet në zbatim nga Rama
Pas lëvizjeve të ditës së djeshme, firmosur nga kryeprokurorja Arta Marku, kanë ardhur dhe reagimet e menjëhershme. Ervin Salianji, në një postim në rrjetin social Facebook, i quan lëvizjet e momentit si të pritshme, ndërsa shton se tashmë prokuroria e ka drejtuesin e saj dhe ai është Edi Rama. “Kamikazi Rama, si Prokuror i Përkohshëm, nisi atë që pritej. Emëron në Drejtorinë për Marrëdhëniet e Juridiksionale me jashtë, kandidatin tjetër të Ramës që ishte pjese e farsës për zgjedhjen e PPP. Tani kontaktet për Tahirin me partnerët do i mbajë vetë Rama! Tani qartësohet plotësisht fillimi i Vitit të Ri; Prokurori Rama e parcelizon dhe prokurorinë siç ka ndarë shtetin dhe administratën, emëron kukullat e veta. Tahiri del i pafajshëm dhe pritet si hero ne PS dhe prokuroria është arma e Ramës për të goditur kundërshtarët brenda dhe jashtë partisë!”, shkruan Salianji.
Sigal