Fundjavë e përgjakshme, 10 të vdekur dhe 14 të plagosur

468
Sigal

KRONIKë/ Bilanc i frikshëm aksidentesh rrugore dhe krimesh, policia jep vetëm statistika

Përgjaken rrugët e vendit. Bilanci në fundjavë shënoi 10 të vdekur dhe 14 persona të plagosur. Ngjarjet janë regjistruar në qytetet e ndryshme të vendit, ku vendin e parë e zënë aksidentet rrugore dhe vrasjet me paramendim. Të bën përshtypje fakti se shteti, pra Policia e Shtetit dhe ajo Rrugore që janë përgjegjëse për sigurinë e jetës së qytetarëve, japin vetëm konstatime, sa u vranë apo u plagosën, ndërsa masat parandaluese të aksidenteve dhe të tragjedive mungojnë maksimalisht.

BRESHËRI AUTOMATIKU MBI NJË FAMILJE DURRSAKE

Pasditen e djeshme breshëri plumbash automatiku në lagjen nr.15 në Porto Romano të Durrësit janë regjistruar drejt banesës së familjes Pepkolaj. Sipas të dhënave paraprake Gëzim Ndreu dhe kunati i tij identiteti, i të cilit nuk bëhet i ditur kanë qëlluar me armë zjarri drejt banesës së Kol Pepkolaj me origjinë nga Kukësi. Fatmirësisht nga të shtënat nuk janë shënuar viktima, ndërsa nga ana e uniformave blu u bë shoqërimi i dy personave që qëlluan mbi banesë. Mësohet se, shkak për këtë ngjarje ka qenë një konflikt i mëparshëm mes dy familjeve, i cili duket se mbante të tensionuara prej kohësh marrëdhëniet mes dy familjeve.

SHEMBET BANESA, VDES E MOSHUARA BRENDA

Tropojë- Një ngjarje tragjike me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në Tropojë. Viktima është një grua në moshë të thyer. Nga policia mësohet se 70-vjeçarja Sabrije Sinani, ka humbur jetën si pasojë e shembjes së banesës së saj në fshatin Grijë Komuna Bujan e Tropojës. Dyshohet se shkak i shembjes së banesës mund të jetë bërë rrëshqitja e një masivi dheu, ndërkohë, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e saj.

HELMOHEN NGA USHQIMI, VDESIN DY FEMRA, NË KOMA NUSJA

Dy femra kanë vdekur mëngjesin e së dielës, nga helmimi në një dasmë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Bushnesh të rrethit të Krujës, ku nga hetimet paraprake dyshohet se dy gratë Prena Gega dhe Drenusha Prendi, kanë humbur jetën si pasojë e helmimit, nga ushqimi që kanë konsumuar në një dasmë, ku ato ishin të ftuara mbrëmjen e së shtunës. Menjëherë, dy gratë janë dërguar me urgjencë në spitalin e rrethit, por ndërruan jetë. Nga të dhënat e para mësohet gjithashtu se në gjendje të rëndë shëndetësore është edhe nusja, e cila po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

 

AKSIDENTOHET FAMILJA, 4 TË VDEKUR

Kukës- Numri i viktimave të aksidentit të rëndë, ndodhur pasditen e djeshme në Kukës, ka shkuar në katër. E plagosura e këtij aksidenti, 20-vjeçarja D. Cengu, ndërroi jetë, rrugës gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak. Sakaq mësohet gjithashtu se 5-vjeçari i plagosur me inicialet V. C, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Pesë anëtarët e familjes Cengu, po udhëtonin drejt Tiranës pasi ktheheshin nga një dasmë.  Si pasojë gjetën vdekjen e menjëhershme, drejtuesi i makinës Ilmi Cengu, bashkëshortja e tij Zylfie Cengu, vajza dhe nusja e djalit, Blerta Cengu, ndërkohë që u plagosë rëndë djali i kësaj të fundit.