Fshehu aksidentin e ndodhur pranë Komisariatit, arrestohet efektivi i Policisë

547
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka kryer sot ndalimin e punonjësit të policisë Seit Sula, me detyrë trup shërbimi në linja, në Seksionin e Policisë Rrugore, pranë Komisariatit të Policisë Librazhd. Ndalimi i tij u krye si i dyshuar për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i dokumenteve”. Sipas të dhënave të mbledhura nga SHÇBA, rezulton se në datë 10.08.2015, shtetasi A.M. teksa drejtonte mjetin me targë AA 105 AT, ka humbur kontrollin duke u përplasur me bordurën e trotuarit pranë Komisariatit të Policisë Librazhd me pasojë dëme materiale. 

Ndërkohë punonjësi i policisë rrugore Seit Sula, i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, nuk ka kryer veprime në lidhje me këtë aksident sipas procedurave standarde. Dy ditë me vonë, në datë 12.08.2015, ai ka përpiluar praktikën e aksidentit, pas ankesës së ardhur nga disa qytetarë në linjën e gjelbër, duke falsifikuar datën në procesverbalin e konstatimit të shkeljes si dhe në dokumentet e tjera, duke i paraqitur këto veprime sikur ishin kryer ditën e aksidentit. Për këtë shkak nga SHÇBA u kryen veprimet procedurale ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme në ngarkim të punonjësit të Policisë Seit Sula, lindur në Peqin dhe banues në Durrës.
Sigal