FOTO/ Me gomën e makinës plot me drogë në dorë, policia pikas trafikantin duke ikur drejt Greqisë por…

Policia Kufitare e Sarandës ka sekuestruar 8 kilogram lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa por nuk ka mundur të kapë trafikantin. Ditën e djeshme prej shërbimeve të Policisë Kufitare të Sarandës në Qafë Botë, në vendin e quajtur “Lugina e Shkëmbit të Bufit”, në afërsi të Konispolit, është vërejtur një shtetas i cili ecte në këmbë me një gomë automjeti në dorë në drejtim të Kufirit Grek.

Ky shtetas sapo ka parë forcat policore ka braktisur gomën e mjetit në tokë dhe është larguar për t’iu shmangur forcave Policore të Kufirit duke përfituar edhe nga errësira.

Në përfundim të hetimit dhe verifikimit të gomës së gjetur është konstatuar se në brendësi të saj kishte të fshehura 14 pako me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale prej 8 kilogram.

Prej shërbimeve të Policisë Kufitare në bashkëpunim edhe me strukturat Policore të Komisariatit Sarandë, të G.L.O-së, dhe Policisë Greke, vazhdon kontrolli dhe krehja e territorit përreth me qëllim kapjen dhe ndalimin e autorit.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike, mbetur në tentativë”.