Flet e plagosura në atentatin e Shkodrës: Më implikuan në ngjarje vetëm se jam femër, ç‘mbaj mend nga ajo ditë

524
Kleona Cungu ishte nisur për në punë dhe po fliste në celular, kur krejt rastësisht një plumb e preku në këmbë duke e lënë të plagosur në mes të qytetit të Shkodrës. Ajo u plagos rastësisht në ngjarjen e pak ditëve më parë, kur Aurel Ahi qëlloi në drejtim të Doni Lisit, ndërsa sqaron në një intervistë për “Panorama” se fati deshi të ishte në vendin dhe momentin e gabuar.
Fillimisht emri i saj u lakua si shoqëruese e njërit prej djemve, por Cungu e mohon një fakt të tillë. “Cfarë të them… që ndjehem fajtore që dola në rrugë apo se jam femër dhe nëse je pak e paraqitshme, të vendosin menjëherë etiketën me fjalët nga më fyeset apo të implikojnë në ngjarje që t’i nuk ke asnjë lidhje dhe ishe vetëm kalimtare. Kjo është e patolerueshme dhe duhet të ndryshojë”,- shprehet e reja.

Ajo tregon gjithçka mban mend nga dita e atentatit dhe momentin kur e kuptoi që ishte plagosur në këmbë. “Dëgjova krisma. Fillimisht mu dukën si kapsollë fëmijësh. U ndala për momentin. Eca prapë dhe sërish dëgjova krisma. Kthej kokën dhe shoh njerëzit duke vrapuar. Pashë një grua që mori fëmijët e saj. Në atë moment ndjej këmbën e majtë që po më dridhej sikur të isha në korent. U ula në gjunjë…”

Ngjarja
Ngjarja me tre të plagosur, një prej të cilëve një vajzë 25- vjeçare, ndodhi në qendër të qytetit të shkodrës, në sheshin “Demokracia”, në vendin e quajtur ish- “5 heronjtë” më 15 gusht, rreth orës 13:00, kur nga një makinë jeshile me targë AA 440 NC, tip “Daevy”, është qëlluar në drejtim të shtetasit Doni Lisi. Edhe pse nga një largësi prej rreth 12 metrash, autori është treguar i saktë duke qëlluar 32-vjeçarin, i cili mori tre plumba, por janë plagosur aksidentalisht dy të tjerët. Në total shtetasi Aurel Ahi ka qëlluar 8 herë, me një pistoletë të tipit “TT”.

Doni Lisi, 32 vjeç, ka marrë tre plumba në trup dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Dy të tjerë janë plagosur në mënyrë rastësore, teksa në atë moment kanë qenë duke kaluar në rrugë. Kleona Cungu, 25 vjeçe, është plagosur lehtë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kanë qenë persona që kanë rastisur në rrugë ata që i kanë dhënë ndihmën e shpejtë 25- vjeçares. Po ashtu, plagë nga plumbat ka marrë edhe shtetasi Enrik Prendushi, 59 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas afro 5 orësh, autori i ngjarjes, Aurel Ahi, 25 vjeç, banues në lagjen “Guerrile” në Shkodër, është arrestuar nga forcat speciale të Malit të Zi pasi kishte kaluar në tokën malazeze përmes Zogajve në Shkodër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:00, kur nga një makinë jeshile me targë AA 440 NC, tip “Daevy”, është qëlluar në drejtim të shtetasit Doni Lisi.
Sigal