Flamur Noka bën kurban edhe 2 policë të tjerë

488
Sigal

Policia e Shtetit me sehirllëkun që i bën krimit, dëshmon që është e inkriminuar

Më 4 maj 2013 në rreth-rrotullimin e Bathores, polici Selman Lena humbi jetën dhe kolegu i tij, Preng Lleshi u plagos, nga aksidenti që shkaktoi Edmir Koleci, i cili i shtypi policët e postbllokut, me fuoristradën “BMV Z 6”, thua se ishin … dele në rrugë. Dhe, krimi, vazhdoi, edhe pas aksidentit. Edmir Koleci, nuk qëndroi fare në vendndodhjen e aksidentit, por, përkundrazi, iku, duke u fshehur edhe vetveten, por edhe fuoristradën, për të shmangur dhe eliminuar provat e fajit.

Ekspertët rrugorë të Nokës, nxjerrin konkluzion: Nga vrasje, në …aksident

Një muaj më vonë nga ngjarja, ekspertët e policisë rrugore japin ekspertizën ligjore. Aksidentit të ndodhur në rreth-rrotullimin e Bathores, ku humbi jetën polici Selman Lena dhe u plagos kolegu i tij Preng Lleshi, nuk ka qenë i qëllimshëm nga autori Edmir Koleci. Nga hetimet e ekspertëve të ministrit Noka,  kjo vepër është kryer në kushtet kur Koleci ka qenë në gjendje të dehur. Mbi Edmir Kolecin, sipas ekspertëve të ministrit Noka,  nuk do të rëndojë më akuza e vrasjes me dashje, por ajo e shkeljes se rregullave të qarkullimit rrugor.

Ekspertizë ligjore, apo fshehje e krimit?

Është pyetja e parë që të lind, pasi mëson konkluzionet e ekspertëve të Policisë Rrugore, të cilët, shtypjen e policëve nga fuoristrada, e cilësojnë thjesht si një …aksident i një të dehuri. Por, zoti Noka, si ministër i Rendit Publik, a mund të përgjigjeni ju, si titullari politik i ekspertëve: Shoferi ishte i dehur vetëm në momentin që shtypi policët e postbllokut? Si ka mundësi, zoti Noka, që një i dehur, të drejtojë fuoristradën, edhe 40 km të tjera, pasi shtypi policët dhe të mos pësojë asnjë aksident tjetër? Dhe si ka mundësi, që i dehuri, të drejtojë natën automjetin dhe të gjejë edhe shtëpinë? I dehuri-shofer, fshehu thjesht mjetin, apo ngarkesën që kishte në fuoristradë?  Përse nuk u bë fjalë që ditët e para që  drejtuesi i fuoristradës ishte i dehur, por tani pas një muaji? Mos vallë, zoti Noka, shoferi vendosi të “sakrifikohet”  për t’u dënuar, me ndihmën e ekspertëve të policisë rrugore, për aksident në gjendjen e dehur, dhe jo për  trafikim të lëndëve të ndaluara, derisa nuk qëndroi për kontroll në postbllokun e policisë? Dhe ekspertët e policisë, me ekspertizën e tyre, e ndihmojnë shoferin që të mos dënohet për vrasje të policëve për shkak të detyrës. Zoti Noka, policia a ka ndonjë ekspertizë, nëse fuoristrada kishte ndonjë mall të ndaluar, natën e krimit dhe përse nuk bëni fjalë për këtë çështje? Zoti Noka, a mundet një i dehur, të drejtojë fuoristradë dhe të gjejë shtëpinë e vet në mes të natës dhe të mos ngatërrohet gjëkundi, edhe pse e ka kuptuar që ka bërë një aksident vdekjeprurës? Kjo është rrethana e parë që ekspertët  e zotit Noka duhet të hetonin, pas aksidentit vdekjeprurës. Ekspertët e zotit Noka, a kanë hetuar mundësinë që fuoristrada të ishte ngarkuar me materiale të ndaluara, si armë, lëndë narkotike dhe drejtuesi i saj nuk i qëndroi postbllokut të policisë për të shmangur kontrollin? Pastaj, zoti Noka, cili Kod Penal e ka përjashtimin e përgjegjësisë penale të drejtuesve të automjeteve, të cilët, kur ata, në gjendje të dehur shtypin e vrasin njerëz, e ca më tepër, policët e postbllokut? Me të tilla ekspertiza, zoti Noka, u përcillni mesazhin njerëzve të botës së krimit, që, mund të  transportojnë çfarëdo malli dhe nuk është më nevoja të qëndrojnë përpara asnjë postblloku të policisë, për të shmangur kontrollin, por, mund të shtypin gjithë policat, sepse me një ekspertizë ligjore të policisë rrugore, mund të cilësohen si drejtues të dehur, e të dënohen për aksidente ordinere, me gjobë, ose, e shumta, me ca ditë burg. Zoti Noka, me të tilla ekspertiza të policisë, ju, me dashje dhe me qëllim bëni kurban krimit të organizuar edhe 2 policë të tjerë.

Policia e inkriminuar me botën e krimit

Vrasja e komisar Lamaj, po shtyhet në kalandrat greke, pasi Policia e Shtetit shqiptar, është e pazonja që të paraqesë provat e mjaftueshme të fajësisë  te shteti grek, ndaj të dyshuarit të vrasjes. Asnjë drejtues i policisë së shtetit, nuk mbajti përgjegjësi për implikimin e tyre, qoftë edhe moral, të fotografive të publikuara, ku drejtuesit më të lartë të policisë dhe i dyshuari kryesor i vrasjes së komisarit, sipas vetë policisë, ditën e largimit të komisar Lamaj nga Komisariati nr.6, e festonin në Dajt. Policët që ishin të pranishëm në vrasjen e komisar Tahiraj, në Shijak, nuk pranojnë të dëshmojnë në gjyq, pasi e dinë shumë mirë, që drejtuesit më të lartë të policisë janë të inkriminuar me botën e krimit dhe nuk i mbron dot askush. Dritan Dajti ka vrarë 4 policë dhe shteti po degjeneron, sepse është i paaftë që të zhvillojë seancë gjyqësore ndaj vrasësit të 4 policëve.  Drejtësi e paaftë, apo drejtësi e kapur?