Sigal

Përcillet për në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes, Ilmi Hoxha. 54-vjeçari që vuante dënimin në Burgun e Peqinit, pasi kishte përdhunuar vajzën e mitur të bashkëjetueses së tij. Hoxha nderoi jetë në burg pasi pësoi një atak kardiak dhe mjekët konstatuan se nuk kishte shenja jete në momentin kur janë sinjalizuar.

Mësohet se, Ilmi Hoxha është braktisur edhe gjatë ceremonisë së varrimit. Më pak se 30 vetë kanë marrë pjesë në ceremoninë e organizuar një ditë më parë në fshatin Mbyet të Fierit. Në ceremoni nuk ka shkuar asnjë nga familjarët e bashkëjetueses së tij Selvi Yzeiraj, e cila po ashtu vuan dënimin për bashkëpunim në këtë vepër penale.

Mësohet se ceremonia ka qenë familjare. Në të kanë marrë pjesë motra dhe familjarë të ngushtë të Hoxhës, të cilët asnjëherë nuk e pranuan që i afërmi i tyre ta kishte kryer atë vepër penale. Ndërkaq, për shkak të ngjarjes së rëndë ndodhur në vitin 2016, askush nga banorët e fshatit nuk ka shkuar në varrimin e tij.

Ilmi Hoxha u dënua me 23 vite burg për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me vajzën e bashkëjetueses së tij qëkur ajo ishte 6-vjeçe (ngjarja u zbulua kur vajza ishte 12 vjeçe), ndërsa me 18 vite u dënua bashkëjetuesja e tij, e cila ka qenë në dijeni të abuzimit të së bijës.

Ngjarja u bë publike në shtator të vitit 2016, ndërsa ai kishte 6 vite që bënte të njëjtën vepër penale me të miturën, në prani të nënës së kësaj të fundit. Aktualisht, e mitura vazhdon të jetë nën kujdesin e shtetit në një qendër rehabilitimi në kryeqytet, ndërsa mësohet se e ka mohuar edhe nënën e saj, edhe pse kjo e fundit ka kërkuar ta takojë.

Pasi vajza bëri denoncim në Policinë e Fierit, nëna e saj e pranoi akuzën pasi u vu para provave, një audiopërgjimi.

Ndërkaq, vajza ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje në prani të psikologut se e ëma ka qenë në dijeni dhe nuk e ka mbrojtur.