Fier, 2 të plagosurit në Mallakastër, pranga për kultivim hashashi

480
Policia e Fierit ka arrestuar dy të rinjtë e plagosur një ditë më parë në Ninësh të Mallkastrës. Riza Feizaj dhe Mariglen Luari akuzohen për kultivim të bimëve narkotike. Zyrtarisht nga policia e Fierit konfirmohet se 23 vjecari Alfons Dautaj që u vra në orët e para të së hënës me kallashnikov dhe dy shokët e tij të plagosur kanë qenë kultivuesit e parcelës me 900 bimë narkotike.
Sipas policisë lokale, tre personat në fjalë ishin në pyll kur janë sulmuar me armë zjarri. Krismat e armëve kanë alarmuar banorët, të cilët kanë shpejtuar që t’u vijnë në ndihmë të rinjve. Pas sinjalizimit për vrasjen e 23- vjeçarit Alfons Dautaj, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet, ndërsa dyshohet se autori është banor i zonës.
Nga veprimet hetimore paraprake, ka rezultuar se në afërsi të vendit ku ndodhi vrasja ndodhej një parcelë rreth 170 m katrorë, ku ishin kultivuar rreth 900 rrënjë hashash. Sipas policisë, ishte kultivuar nga viktima Dautaj, Luari dhe Feizaj. Po të njëjtat burime pohuan se tre të rinjtë ruanin parcelën me hashash dhe se dyshohet që konflikti që solli sulmin me armë zjarri ndaj tyre ka marrë shkas pikërisht nga droga. 
Sigal