Fëmija 1 vjeç vdes në spital, tre mjekë nën hetim

493
Pas pretendimit për një mjekim të pakujdesshëm nga ana e bluzave të bardha, tashmë ka nisur hetimi për tre mjekë në Elbasan. Vdekja në spital e një fëmije 1-vjeçar, ka vënë nën hetim infermierët dhe mjekët e turnit në Spitalin e Elbasanit. Fëmija nga Zavalina e Elbasanit, ndërroi jetë një natë më parë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, pasi ishte sjellë nga prindërit e tij në gjendje të rënduar, me pjesët respiratore të bllokuara. 
Dyshohet që fëmija të ketë qenë në këtë gjendje si pasojë e komplikacioneve të një viroze, por pavarësisht ndihmës së dhënë, fëmija nuk ka mundur të mbijetojë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, uniformat blu në bashkëpunim me Prokurorin e çështjes, kanë nisur hetimet ndaj mjekëve E.L., 57 vjeç me banim në Elbasan, F.B., 51 vjeç me banim në Librazhd dhe mjeken 56 vjeçare me inicialet D.B., me banim në Elbasan. 
Prokuroria do t’i hetojë mjekët për veprën penale “mjekim i pakujdesshëm”. Trupi i foshnjës po i nënshtrohet ekspertizës mjeko/ligjore, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe përgjegjësinë e personelit mjekësor në vdekjen e tij.
Sigal