Familjarët: Humbi jetën sepse e rrahën gardianët

396
Sigal

Mungesa e përgjegjësisë dhe neglizhenca në zbatimin e rregullores së brendshme i merr jetën një të burgosuri

I dënuari me burg përjetë Azem Peca vetëvrarët në ambientet e burgut të Zaharisë në Krujë. Familjarët që morën lajmin në orët e vona të mbrëmjes së pardjeshme akuzojnë gardianët e burgut se, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të afërmit të tyre që vetëm gjatë 5 muajve të fundit kishte degraduar nga gjendja shëndetësore. Sipas vëllait, Hakiut dhe dajës së tij, Azem Peca ka pasur një komunikim me nënën rreth orës 11:00 dhe me pas është vetëvarur, por nuk shtojnë se nuk ka pasur probleme mendore. Autoritetet e burgut janë mjaftuar me fjalët e thjeshta që kishte probleme shëndetësore ndaj edhe ndodhi vetëvarja. Të mjaftohesh me një deklaratë të thatë për një njeri që humbet jetën është një skandal i vërtetë dhe indiferencë ndaj atyre që kanë për detyrë të ruajnë dhe sigurojnë jetën e të dënuarve. Tre janë parimet kryesore të trajtimit të një të dënuari në Europë dhe në Shqipërinë  europiane, statusi i së cilës nuk është një medaljon, por detyrë dhe përgjegjësi nga ana e shtetit dhe shtetarëve të tij: 1- Mbajtja në kushte izolimi dhe të ndarë nga shoqëria. 2- Siguria e jetës nga sulmet brenda burgut dhe jashtë tij. 3-Trajtimi shëndetësor, psikologjik dhe social. Për ata që janë me burgim të përjetshëm ky trajtim do jetë i përhershëm, ndërsa për ata  të dënuar që kanë marrë dënimin me vite, ky trajtim bëhet me kusht që kur të dalin këta të burgosur të jenë të aftë të bashkëjetojnë me komunitetin dhe të bëhen qytetarë të ndershëm të shoqërisë. Pra, sikurse shihet është detyrim i shtetit dhe atyre që paguhen me taksat e shtetit dhe qytetarëve tanë të sigurojnë dhe ruajnë jetën e të dënuarve. Si ka mundësi të vari veten një i dënuar? Po polici i shërbimit ku ishte? Sipas rregullores së brendshme çdo 5 apo 6 minuta duhet të kontrollohen dhomat nga dritarja e derës së korridorit. Dhe sido që të jetë puna, sa të lidhë një i dënuar çarçafin apo të bëjë përgatitjet e tjera, duhen disa minuta fjala bie 4 apo 5 minuta. Nëse ai vetëvrarët, koha prej 4-5  minutash që ai është duke dhënë shpirt plus 5 minuta përgatitje ( baras me 10 minuta ), të jep mundësinë të ndërhysh dhe ta shpëtosh, aq më tepër që në burgje ka sistem shëndetësor 24 orësh. Pra, nëse shërbimi i brendshëm është brenda të gjitha parametrave, atëherë gjithçka parandalohet. Le të shihen kamerat e brendshme dhe të kontrollohen oraret se sa herë ka kontrolluar polici i brendshëm, përgjegjësi dhe oficeri i rojës gjatë kohës kur ndodhi ngjarja?  Vetëm kështu bëhen analizat dhe del përgjegjësia me qëllim, jo thjesht dënimin e një punonjësi policie, por që secili të bëjë punën për të cilën paguhet dhe të ndjejë përgjegjësinë morale dhe ligjore, që nga roja më i thjeshtë, deri tek Titullari i Burgjeve. Nëse emërimet e titullarëve në Burgje dhe Drejtorinë e Përgjithshme bëhen me ata që rrahën dhe masakruan socialistët në Majin e 1996-ës apo të lidhur me familjarë të pushtetarëve të sotëm, burgjet tona do të kenë vetëm problem dhe skandale. (Pa përmendur emërimet e njerëzve me precedent penal dhe mitmarrje). Nëse një ditë bashkë me ushqimet e firmave do futet edhe pluhur i bardhë, kjo nuk do të përbëjë çudi, sepse të dhënat janë që vazhdon të bëhet. Atëherë, ne nuk kemi si të besojmë në vetëvarjen e një të burgosuri, i cili nëse ishte i sëmurë në atë gjendje dhe shkalle sa të vetëvritej, detyra e institucioneve ishte në bazë të raporteve të policisë të bëra prezent edhe në Drejtorin e Përgjithshme ta mbanin nën trajtim mjekësor në spitalin e burgut i specializuar me mjekët përkatës. Pra në çdo rrethanë që të analizojmë këtë ngjarje paaftësia dhe përgjegjësia e burgjeve është e padiskutueshme në humbjen e një jete, për të cilën drejtësia e kishte dhënë një dënim.