“Eskobari i Ballkanit”, Policia e Shtetit: Operacioni vazhdon

545
Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë greke dhe DEA-n e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe me Policitë e disa vendeve të BE-së, janë duke kryer një ndër operacionet më të gjera kundër trafikimit të lëndëve narkotike në rajon dhe zonën e BE-së. Bashkëpunimi për këtë operacion nisi disa muaj më parë dhe përfshin një shkëmbim intensiv të dhënash, përdorimin e metodave speciale të hetimit dhe veprime hetimore të përbashkëta në disa shtete.
48 orët e fundit janë kryer disa arrestime të anëtarëve të kësaj organizate kriminale në vendin fqinj, Greqi, por edhe shtete të tjera, ndërkohë që hetimet vijojnë. Për shkak se operacioni është ende në zhvillim, nuk mund të bëhen publike detaje që cënojnë këtë hetim. Ndërkohë, Policia e Shtetit shpreh indinjatën e saj rreth akuzave tërësisht abuzive nga Partia Demokratike. Teksa rezultatet e këtij operacioni po dalin në dritë, Partia Demokratike hedh akuza ndaj disa drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë marrë pjesë aktivisht në këtë operacion e janë pjesë e rezultateve të tij.
Është e papranueshme që një parti politike të lëshojë akuza të pabaza, edhe kur Policia e Shtetit arrin rezultate të njohura edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo është një pjesë e deklaratës së policisë greke, që mban datën 10 maj 2016, për operacionin e përbashkët ku theksohet bashkëpunimi policor mes policisë greke, policisë shqiptare dhe zyrës së antidrogës së SHBA, DEA:
“Nëndrejtoria e Luftës kundër Drogës në Greqi, pas disa muaj hetimesh, bazuar në mënyrën e funksionimit kriminal të pjesëtarëve të organizatës kriminale, në bashkëpunim me zyrën e DEA-s pranë Ambasadës së SHBA-së në Athinë dhe me Shërbimet e Antidrogës së Policisë shqiptare, për mënyrën e funksionimit të kësaj organizate kriminale, e cila kishte të bënte me aksin ballkanik, u mor me shumë verifikime dhe bashkoi gjithë informacionin e mundshëm për analizën e të dhënave të informacionit kriminal. Pas kësaj arriti të zbulonte mënyrën e funksionimit të organizatës, taktikat e organizimit si dhe funksionimit ndërkombëtar si në vendet e BE-së ashtu edhe në vendet e Ballkanit”.
Sigal