EMRAT/ Grabisnin ikonat kishtare për t’i shitur, si u arrestuan në flagrancë dy korçarët

484
Sigal

Policia e Korçës ka arrestuar dy persona, pasi dyshohet se kishin grabitur disa ikona kishtare dhe monedha metalike në Greqi me qëllim për t’i shitur në Shqipëri. Në pranga ka përfunduar Beni Kosturi, 49 vjeç dhe Nerald Karollari, 30 vjeç. Dyshohet se këto objekte kishtare ata do t’i shisnin në këmbim të një shume prej 3000 Euro, me qëllim trafikimin e tyre.

Njoftimi i policisë: 
Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme dhe Narkotikët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Njësinë për hetimin e trafiqeve dhe narkotikëve në Drejtorinë Hetimore të Policisë së Shtetit, mbi bazën e një hetimi disa mujor, të kryer me metoda speciale të hetimit, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

Beni Kosturi, 49 vjeç, banues në Korçë,
Nerald Karollari, 30 vjeç, banues në Mborje,
Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj E.G, 27 vjeç, banues në Korçë.

Pasi më datë 14.06.2018, nga kontrolli i ushtruar në lagjen nr 4, në banesën e shtetasit Beni Kosturi iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 25 (njëzetë e pesë) Ikona kishtare të përmasave të ndryshme si dhe 37 (tridhjetë e shtatë) monedha metalike të huaja të prerjeve të ndryshme të dyshuara si të vjedhura në Greqi.

Shtetasit e mësipërm dyshohet se këto objekte do t’i shisnin në këmbim të një shume prej 3000 Euro, me qëllim trafikimin e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës” parashikuar nga neni 138/a i Kodit Penal.