EMRAT/ 5 në pranga në Tiranë, si u zbulua grupi i kokainës dhe zonat ku vepronin

415
Pesë persona janë vënë në pranga mbrëmjen e së shtunës gjatë një operacioni të Antidrogës së Tiranës, pasi dyshohet se shpërndanin kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë aksionit Policia bllokoi dy automjetet, që përdoreshin nga autorët për shpërndarjen e drogës, që dyshohet se vinte nga Elbasani. Ndërsa gjatë kontrollit të makinave u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej rreth 250 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë.
Policia tha dje zyrtarisht se oficerët për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit; Elton Hasnjoku, 41 vjeç, banues në Tiranë, Armand Pisha, 28 vjeç, Migen Jani, 34 vjeç, Shpëtim Myrta, 51 vjeç dhe Mariglen Gostima, 26 vjeç, të katërt nga Elbasani.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, që dispononte Seksioni për Narkotikët, të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin shisnin lëndë narkotike të llojit kokainë, me klientelë kryesisht në zonën e “Oxhakut”, “Xhamllikut”, etj. në qytetin e Tiranës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në 2 automjetet tip “Golf 5”, me të cilat lëviznin 5 të arrestuarit, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provave materiale 256.5 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dy makinat e të dyshuarve dhe 8 telefonat celularë, që ata përdornin.
Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se hetimet për zbulimin e këtij grupi kishin nisur prej disa javësh pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Operacioni për arrestimin e tyre u realizua në momentin kur do të bëhej shkëmbimi i mallit, që vinte nga Elbasani në Tiranë. Burimet thanë se po vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë, që mund të jenë të përfshirë në këtë grup.
Sigal