Elbasan, helmohen qindra persona nga akulloret brenda katër ditësh

901
Rritja e temperaturave në afro 40 gradë, duket se ka rritur edhe plogështinë e strukturave të shtetit, që mbulojnë kontrollin e ushqimeve, tregjeve dhe lokaleve. Fast-food-et, tregjet e fruta-perimeve, dyqanet e shitjes së mishit, therja e kafshëve, por së fundi edhe shitja e pakontrolluar e akulloreve, duket se janë disa prej mangësive, ku Inspektorati Shëndetësor në Elbasan nuk është ndalur siç duhet. Kjo për faktin se sipas burimeve spitalore “vetëm në 4 ditët e fundit janë mbi 127 persona të ardhur me urgjencë nga helmimet, duke marrë mjekim intensiv nga Infektivi e deri tek Pediatria, mbi 45 persona i përkasin moshave nga 7-14 vjeç dhe janë helmuar me akullore, të cilat sot në këtë qytet shiten në kioska, karroca ambulatore të lëvizshme, e deri tek pragjet e banesave përdhese në lagje”. 
Sipas burimeve nga Urgjenca dhe Pediatria “rastet e dy ditëve të fundit veçanërisht ishin të rënda, pasi ishin të gjithë fëmijë me diarre, të vjella, temperaturë dhe simptoma të tjera respiratore, por shkaku kishte qenë konsumimi qumështit të prishur të akulloreve që shiten në mënyrën më të pakontrolluar nga strukturat e Inspektoratit shëndetësor dhe policisë bashkiake”. Edhe tregjet e shitjes së produkteve të mishit, fruta-perimeve, të gjësë gjallë, të tregut industrial, mbeten një skandal më vete që akuzojnë strukturat e inspektoratit shëndetësor, e cila deri sot nuk ka kontrolluar, verifikuar dhe penalizuar asnjë subjekt privat, apo firmë prodhuese, në një kohë që banorët e Elbasanit prej 1 viti ankohen për produkte ushqimore të skaduara, apo që shiten jashtë kushteve higjieno-sanitare. Ndërsa tek tregu industrial shitet gjithçka: ushqime, rroba të reja e të vjetra dhe askush nga policia bashkiake nuk kujtohet sepse këto magazina janë të “Lalë Sejdinit”. Tregu tek Manasgjaja, (markata e madhe) apo tregu tek Stadiumi “Arena e Elbasanit”, si dhe tek lagjet “Vullnetari”, “S. Xhuvani” janë jashtë kushteve higjieno-sanitare, ku shitet mall pa kontroll, mallra kontrabandë apo produkte ushqimore nga Myzeqea me ambalazhe të fallcifikuara. 
Elbasani mbetet qyteti ku edhe para disa muajsh ka patur probleme serioze në tregjet e tij ku shiten produkte ushqimore bimore dhe shtazore dhe kjo jo vetëm për fajin e inspektoratit shëndetësor, por sidomos të Policisë Bashkiake. Banorët e Elbasanit, por edhe mjekët infeksionistë japin alarmin se “tregjet janë të pistë, qumështi, bulmeti dhe gjithçka shitet në rrugë, trotuare, pranë koshave të plehrave, dhe rrezikohet të përhapin sëmundje të rënda, ndërkohë që Inspektorati Shëndetësor nuk gjendet asnjëherë pranë tyre, për të kontrolluar, penalizuar dhe vendosur standardet ligjore, të cilat do t’i shërbenin jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Banorët e Elbasanit japin alarmin se “në tregjet e shitjes së fruta-perimeve shikojmë mace, minj, qen, dhe lloj-lloj kafshe, të cilat duket se bashkëjetojnë me shitësit ambulatorë, ndërkohë që edhe pse kemi njoftuar me dhjetëra herë, duket se strukturat përgjegjëse pajtohen me situatën e rënduar duke mos marrë asnjë masë. Kjo situatë e rënduar higjeno-sanitare e tregjeve dhe lokaleve në Elbasan, duhet të nxisë me urgjencë inspektorët e Policisë Bashkiake të dalin dhe të qarkojnë gjithë zinxhirin e tregjeve dhe pikave ku ka probleme dhe të penalizojë, me gjoba dhe masa të tjera ligjore, cilindo që tenton të shesë produkte bimore dhe shtazore të helmuara dhe t’i dërgojë ata pranë organeve kompetente. Të pajtohesh me këtë situatë të krijuar në stinën e verës, kur temperatura i kalon 40 gradë, do të thotë të pajtohesh me shkelësit e ligjit dhe batakçinjtë e tregjeve, që kanë parësore vetëm paranë, dhe asnjëherë jetën e qytetarëve. Çdo qytetar i helmuar dhe shtruar me urgjencë në spital nga shkaku i ushqimit, është një akuzë më tepër vetëm për Inspektoratin Shëndetësor dhe Policinë Bashkiake. 
Sigal