Elbasan, 52-vjeçari shpëton të miturin 10 vjeç nga granata, plagoset vetë

447
Një 52-vjeçar është plagosur rëndë, duke i shpëtuar jetën një të mituri, i cili po mblidhte mbeturina në një kazan plehrash dhe rastësisht ka hasur në një granatë. I dëmtuari mësohet se ka qenë në një lokal, kur ka paralajmëruar të miturin, por ky i fundit nga frika ka hedhur granatën në drejtim të 52-vjeçarit dhe shpërthimi ka shkaktuar plagosjen e tij. Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet e qytetit të Elbasanit dhe menjëherë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të saj, ndërkohë që i plagosuri mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Burimet policore lokale bënë me dije se shpërthimi i granatës u konstatua në një nga rrugicat e lagjes “Skënderbej” të këtij qyteti. Sipas informacioneve të marra paraprakisht, një fëmijë, rreth 10 vjeç, ka qenë duke mbledhur objekte të ndryshme në një kazan plehrash, kur është përballur me një granatë. Lëvizjet e të miturit mësohet se në të njëjtën kohë ndiqeshin nga një person, klient në një lokal aty pranë kazanëve të mbeturinave. 

Në një moment, 10-vjeçari mësohet se ka nxjerrë nga kazani një granatë dhe 52-vjeçari, që më vonë është identifikuar si Bujar Hajdari, banues në të njëjtën lagje, është alarmuar nga ajo që ka parë. Fëmija, që nuk e dinte se çfarë ishte objekti që kishte gjetur, ka nisur të luajë me të dhe mësohet se ka hequr gjilpërën nga granata. Në ato momente, Hajdari mësohet se ka bërtitur me sa zë kishte ndaj fëmijës, duke i kërkuar ta hedhë objektin që mbante në dorë, pasi ishte bombë. Fëmija, i cili është kthyer përballë 52-vjeçarit, teksa ai thërriste “hidhe se është bombë”, është tmerruar dhe instinktivisht e ka hedhur granatën në drejtim të tij, e cila brenda pak çastesh ka shpërthyer, duke mos i dhënë kohë askujt të mbrohej prej saj. Si pasojë e shpërthimit, 52-vjeçari Hajdari ka marrë plagë dhe është transportuar drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit. 

Burimet spitalore bënë me dije se menjëherë i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe gjendja e tij është stabilizuar. Mjekët shtuan se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas kësaj ngjarjeje, në vendin e shpërthimit kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë kontaktuar me banorët e zonës. Këta të fundit kanë treguar me detaje se çfarë kishte ndodhur. Sipas tyre, djali i mitur ishte i njohur për lagjen, pasi mblidhte shpesh hekurishte në koshat e mbeturinave. Sa u përket autorëve që kanë lënë granatën në koshat e mbeturinave, policia tha se ka nisur hetimet, por nuk ka ndonjë pistë konkrete për zbardhjen e rastit
Sigal