Ekzekutimi i trefishtë te “Zogu I”, prokurorët holandezë mbërrijnë në Tiranë

554
Vrasja e trefishtë e ndodhur në bulevardin “Zogu i Parë” pasditen e 27 majit 2015, ka sjellë në Tiranë një grup prokurorësh nga Roterdami i Holandës. Zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se prokurorët holandezë kërkojnë informacion për krimin e rëndë ku viktima mbetën Mentor Lufi(Doçi), miku i tij Gerti Goxhaj dhe “hasmi” i Doçit, Besnik Sulku, pasi dyshohet se ngjarja e ndodhur përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të ketë si motiv hakmarrjen e familjes Sulku, për vrasjen e djalit të tyre, Durim Sulku në Roterdam të Holandës. 
Prokurorët e huaj, mësohet se kanë pasur një takim me prokurorët e Krimeve të Rënda dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, ku kanë diskutuar lidhur me ngjarjet e ndodhura në të dyja shtetet, pasi dyshohet se kanë lidhje me njëra-tjetrën. Prokurorët nga Roterdami do të qëndrojnë disa ditë në Tiranë dhe pritet të marrin në pyetje dy vëllezërit Markeljan e Klejvi Doçi, të cilët dyshohen jo vetëm për vrasjen e Besnik Sulkut në Tiranë, që u qëlloi në sy xhaxhain e tyre, Mentor Doçi Lufi, por edhe për ekzekutimin në Roterdam të Durim Sulkut. 
Gjithashtu, prokurorët do të pyesin edhe një tjetër të arrestuar për ekzekutimin e trefishtë në Tiranë, Salvatore Letizia-n, i dyshuar si pjesëtar i një klani mafioz i lidhur me Camorra-n. Ndërsa përgjatë takimeve, prokurorët shqiptarë dhe holandezë kanë shkëmbyer informacione të rëndësishme, që do t’u shërbejnë për zbardhjen e krimeve.
Sigal