“Eja me armë”/ Prova e re në telefonin e të plagosurit në Bllok

487
Sigal

Qëndrimi në qelitë e paraburgimit vë në rrezik jetën e Elion Hatos. Ai duhet të mbahet në ambjentet e një spitali civil, ku mund të marrë shërbim të specializuar. Në këtë përfundim kanë dalë ekspertët e Mjekësisë Ligjore, për gjendjen  e Hatos, një prej të plagosurve në masakrën e ish-bllokut mbrëmjen e 4 tetorit. I paraburgosuri i është drejtuar gjykatës së Tiranës me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, pasi kërkon të trasferohet në një spital në Turqi, ku mund të kryejë një ndërhyrje për heqjen e tre plumbave që ka në trup.

Gjykatësi Artan Gjermeni e ka administruar në dosje ekspertizën mjekoligjore, por ende nuk ka dalë me një vendim. Kjo për faktin se prokurorët kanë kërkuar kohë për ta shqyrtuar ekspertizën që të mbajnë qëndrimin e tyre pro apo kundër kërkesës së të paraburgosurit. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e ish bllokut, prokuroria ka administruar në dosje provën e radhës. Bëhet fjalë për ekspertizën e telefonit të viktimës, Fabian Gaxha, i cili ishte pjesë e grupit të biznesmenit Ervis Martinaj. Burime nga prokuroria thanë se në aparatin celular janë zbuluar disa komunikime në Whats up mes Gaxhës dhe Elion Hatos. Me screen-shotin e një mesazhi të ardhur në telefonin e tij, dërguesin e të cilit është duke e hetuar prokuroria, Hato i ka kërkuar gaxhës të vijë menjëherë në lokal Monopol i pajisur me armë.

Sikurse rezulton në dosje, fill më pas, Gaxha ka hyrë në lokal dhe është konfliktuar me komandon Meviol Bilo, që shoqëronte biznesmenin Ervin Mata. Në debat e sipër 26 vjecari ka qëlluar më armë. Sulmit i është kundërpërgjigjur Bilo, duke e lënë atë të vrarë, ndërsa të plagosur mbetën Ervis Martinaj dhe Elion Hato, të cilët u ndaluan në spital dhe vijojnë të mbahen nën masën e arrestit me burg. Në kërkim për ngjarjen janë tashmë vetëm biznesmeni Ervin Mata dhe komando Meviol Bilo. Të gjithë të arrestuarit e tjerë janë liruar nën masën e detyrimit për paraqitje.