Edukatorja e rrahur nga drejtoresha: Ja pse u revoltua dhe më tërhoqi zvarrë në shkallë

155
Drejtoresha dhunon edukatoren e kopshtit në sy të fëmijëve 5­ vjeçarë. Të paktën ky është pretendimi i të dëmtuarës, 50­ vjeçares Suzana Brahimllari, e cila u paraqit për trajtim në spital pas hematomave e tronditjes së pësuar. 
Sipas të dhënave, ngjarja ndodhi në kopshtin nr.8, teksa pas një debati verbal, drejtoresha Laureta Asllani ka përfunduar në përdorimin e forcës fizike ndaj vartëses së saj.
Pas denoncimit të edukatores, Policia bëri të ditur se “u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqë sor Korçë për veprën penale ‘dëmtime të tjera me dashje’ pasi ka bërë kallëzim shtetasja S.B., 50 vjeçe, banuese në Korçë, me detyrë mësuese parashkollore. Ajo ka deklaruar se është konfliktuar për motive të dobëta me drejtoreshën e kopshtit, shtetasen L.A., 38 vjeçe, banuese në Korçë, në ambientet e brendshme të këtij institucioni. Nga ana e Policisë, u kryhen veprimet procedurale dhe po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
E kontaktuar mbrëmë nga “Panorama”, drejtoresha Asllani u shpreh se e gjithë kjo është një sajesë dhe se ajo do ta ndjekë ligjërisht këtë çështje. “Nuk është asgjë e vërtetë. Ajo (edukatorja) ka probleme, të cilat po i verifikon një komision etike”, u shpreh drejtoresha. Madje, ajo nuk pranoi që hematomat e 50­-vjeçares të jenë shkaktuar nga ana e saj.
Ndërkohë, e dëmtuara rrëfeu në ambientet e jashtme të spitalit (personeli nuk lejoi gazetarët ta intervistonin brenda), se si ndodhi ngjarja.
Znj. Brahimllari, a mund ta na thoni se si ndodhi ngjarja?
Më tha drejtoresha se kishte pasur një ankesë nga një prind me argumentin se unë nuk respektoja etikën, pasi u thosha prindërve çfarë bënin fëmijët e tyre gjatë kohës që unë kujdesesha për ta. Ndërkohë që unë e kam detyrim që t’i informoj prindërit për çdo gjë që ndodh me fëmijët, çdo sjellje të tyre të mirë apo çdo gabim që bëjnë. Më thirri në zyrë dhe më komunikoi që kishte këtë ankesë prindi dhe madje kishte mbledhur komisionin e etikës.
Dhe më tej çfarë ndodhi?
I kërkova letrën që pretendonte se e kishte bërë prindi dhe ajo e nxori dhe ma tregoi. Në ato momente unë i kërkova që ta bëja fotokopje dhe t’ia ktheja origjinalin dhe nisa ta palos. Por ajo u revoltua nga kjo gjë dhe nisi të më godasë. Unë dola nga zyra, por ajo më ndoqi dhe po më tërhiqte zvarrë nëpër shkallë… Më pas iu shkëputa nga duart dhe hyra në klasë ku ishin edhe fëmijët. Mendova se për shkak se aty kishte fëmijë, nuk do të vinte atje.
Ju ndoqi?
Po, ka hyrë në klasë dhe në sy të fëmijëve që janë 5­ vjeçarë më goditi, ata u traumatizuan. Më pas doli nga klasa dhe unë u ula në një karrige. Nuk isha në gjendje të qëndroja, isha e shokuar. Pak më vonë humba ndjenjat dhe më kanë shtrirë mbi tavolinën ku hanë ushqimin fëmijët. As ambulancën nuk lajmëroi që të më çonin në spital. Thirra vetë urgjencën dhe më kanë mjekuar atje, mbi tavolinë.
Keni pasur konflikte të mëparshme me drejtoreshën?
Kam 32 vjet që punoj në sistemin arsimor dhe nuk kam pasur asnjëherë probleme. Kam 3 muaj që përballem me presion psikologjik të vazhdueshëm, pasi kjo drejtoresha nuk e di pse grindej me mua për çdo gjë. Nuk kisha reaguar dhe s’i ktheja asnjëherë përgjigje, s’doja të humbisja vendin e punës… Ndërkohë që edhe për letrën e prindit që ajo pretendon dhe madje e kishte bërë gati, unë kam komunikuar më pas me atë prindin. Dhe më mohoi kategorikisht të jetë ankuar as gojarisht, jo më të kishte shkruar atë letër për mua.
A keni bërë denoncim në Polici?
Po, kam bërë kallëzim në Polici sepse nuk mund ta duroja më, është e turpshme që të më ndodhë kjo gjë.
A do të riktheheni nesër në punë?
Po, do të shkoj, më vjen shumë turp nga kjo që ndodhi, por do shkoj, kam fëmijët për të cilët kujdesem dhe nuk mund t’i lë. Nuk e di çfarë më pret dhe çfarë reagimi do të kem nesër nga drejtoresha.