E reja nga Laçi rrëfen tmerrin: I dashuri më ktheu në prostitutë, makthi që përjetova në Itali

Tashmë ajo është rikthyer sërish në vendlindje, pranë familjes e shoqërisë, por me peshën e të kaluarës së errët mbi supe. Një histori dashurie që nuk e veshi kurrë vellon e bardhë, e futi të renë në kurthin e prostitucionit ku ra pre e shfrytëzimit nga tutori që ishte vetë i fejuari i saj.

Ajo në një intervistë ka rrëfyer se makthin, mënyrën sesi e trajtonin dhe rrugën e shpëtimit nga e gjithë kjo situatë.

E quan veten me fat që ndodhet sërish pranë gjirit të familjes, por tregon se ka shumë vajza të tjera që shfrytëzohen e janë pjesë e rrjetit të prostitucionit, pa dëshirën e tyre.

Duke iu bërë thirrje që të kenë besim e të jenë të forta, e reja nga Laçi shpreson shumë që ky fenomen të marrë fund një ditë. (E reja, për arsye anonimati e sigurie, refuzon të japë të dhënat gjenerale të saj, për të shmangur kështu çfarëdolloj problematike.)

Ku jetoni ju aktualisht?
Unë kam lindur në Laç dhe aktualisht banoj po në këtë vend.

Si u njohët me personin që iu trafikoi?
Që në adoleshencë kam thurur ëndrra rreth djalit ideal që mendoja se do të ishte edhe bashkëshorti im, të krijoja një familje me të e të ecnim së bashku në rrugën e jetës. Dhe e gjeta…Nuk ishte dhe aq i bukur, as i shkolluar, siç e imagjinoja, por më bëri për vete me fjalët e bukura që thoshte. Mendoja se ishte i sinqertë dhe tmerrësisht i dashuruar me mua, të paktën ashtu kujtova në momentet që isha me të. Nuk mund të them se u tregova mendjelehtë, por as e zgjuar, pasi i besova pa masë dhe në fund u mashtrova e u zhgënjeva plotësisht.