Dyshonte se e tradhëtonte gruaja, burri e masakron me thikë

478
Burri i cili vrau gruan me thikë është rrëfyer para policisë se ai është penduar për krimin e kryer. Pas një sheri e sipër, ai ka vrarë nënën e tre fëmijëve mbrëmjen e së dielës. Burri që vrau me thikë gruan në banesën e tyre në Patos, në Fier, ka pranuar para policisë arsyen e krimit. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje, 55 vjeçari ka deklaruar se prej shumë kohësh kishte konflikte me gruan e tij 50 vjeçare, Resmie Goxhaj, pasi dyshonte se ajo e tradhetonte. 
“Bashkëshorten time e godita për vdekje me thikë në sherr e sipër. Nuk desha ta vrisja, por situata më doli jashtë kontrollit. Teksa po debatonim, ajo më qëlloi e para, ndaj bëra atë që bëra. Jam penduar”. Kështu është shprehur dje para oficerëve të policisë, Shpëtim Goxhaj nga qyteti i Patosit, i cili në orët e vona të mbrëmjes të së dielës, ekzekutoi nënën e tre fëmijëve të tij.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, dje bënë me dije se krimi më i fundit në familje ka ndodhur për motive xhelozie. Autori i krimit është tronditur dhe penduar pas vrasjes, ndërsa ka shkuar duke qarë në Komisariatin e Policisë së Fierit. Shpëtim Goxhaj akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, ndërsa pritet që Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit të vendosë masën e sigurisë ndaj tij.
Sigal