Dyshimet/ Ja përse e vrau bashkëshorti Suela Sulën

587
Gruaja 45-vjeçare Suela Sula, që u gjet e vdekur në tualetin e mobilierisë në qytetin e Shkodrës, është mbytur me duar nga bashkëshorti i saj.
Ky është versioni zyrtar i policisë së qytetit verior, në lidhje me ngjarjen e dy dytëve më parë, duke arrestuar për këtë krim bashkëshortin e saj Sadetin Sula. “Nga ana e specialistëve të seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, u bë ndalimi i shtetasit Sadetin Sula, 47 vjeç, banues në Shkodër. Ndalimi i tij u bë pasi nga veprimet e para hetimore të kryera, në lidhje me rrethanat e vdekjes së shtetases me iniciale S.S., (bashkëshortja e tij), e cila u gjet e pajetë ne tualetin e Mobilieri “Europa”, dyshohet se viktima është vrarë (mbytur me duar) nga bashkëshorti i saj” -thuhet në njoftim.
Gruaja, nënë e tre fëmijëve, u gjet e pajetë nga punëtorët e mobilierisë në banjën e objektit. Ata kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por teksa panë se kishte ndërruar jetë, lajmëruan menjëherë policinë. Nga këqyrja e kufomës, fillimisht u konstatuan shenja dhune në pjesën e qafës dhe buzës.
Gjithsesi, është dashur ekzaminim i hollësishëm nga ana e ekspertëve për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Sipas tyre, 45-vjeçarja kishte humbur jetën si pasojë e shtrëngimit të fortë në pjesën e fytit. Bashkëshorti i saj fillimisht u mor në pyetje në lidhje me çështjen, por para hetuesve ai ka dhënë dëshmi kontradiktore.
Ai është shprehur se bashkëshortja kishte vdekur në mënyrë natyrale, por pas fakteve që iu parashtruan se kishte shenja dhune në fyt, ai është mundur të fshihet sërish duke pretenduar se mund të kishte vrarë veten. Gjithsesi, faktet e grumbulluara kanë bërë që policia të arrestojë 47-vjeçarin për akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, e parashikuar nga Neni 79/c i Kodit Penal. Në lidhje me motivet e këtij krimi, janë disa pista, por më kryesorja sipas agjentëve është xhelozia nga ana e 47-vjeçarit. Dyshohet se çifti kishte mosmarrëveshje kohët e fundit për shkak se e shoqja e akuzonte se atë për një lidhje jashtëmartesore. Debatet kanë precipituar deri në pikën kur për shkak të xhelozisë, dyshohet se bashkëshorti e ka mbytur Suelën.
Sigal