Dy vjetori i ndarjes nga jeta i Haxhi Baba Arshi Bazajt, drejtues i Teqesë në Detroit të SHBA-së

1271
Kryegjyshi Botëror Bektashian Dede Edmond Brahimaj: “Jeta dhe vepra e tij do të mbeten të gjalla në memorien e brezave, si dhe në historinë e lavdishme shekullore të bektashizmit botëror.”

Kujtim BORIÇI
Syrja XHELAJ
Sa më shpejt ikin ditët, javët, muajt dhe vitet, aq më shumë ndjehet mungesa fizike e klerikut bektashi Haxhi Baba Arshi Bazaj, një nga klerikët e këtij besimi, që një jetë të tërë ia kushtoi devocionit ndaj Krijuesit dhe dashurisë për kombin. Ndërkohë, përkushtimi i tij për bektashizmin, vazhdon të shpërndajë rreze drite në udhën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut brez pas brezi. Më datë 26 dhjetor 2015, ky klerik ndërroi jetë, ndërsa më 28 të po këtij muaj, në Detroid të SHBA, u bë një ceremoni përcjellje madhështore ku mori pjesë dhe Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ditën e nesërme më 28 dhjetor 2017, duke filluar nga ora 11:00, burimeve të Depertamentit të Kulturës së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, priten vizita në Selinë e Shenjtë, zhvillohen disa aktivitete, përfshi dhe vizitat në muzeun e institucionit. Ditën e përcjelljes nga kjo jetë të baba Arshi Bazajt, ishte i pranishëm dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.


Kryegjyshi Botëror Haxhi Mondi për baba Arshiun
Ja si e vlerëson Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij Haxhi Baba Edmond Brahimaj: “Haxhi Baba Arshi Bazaj u lind në familjen e nderuar të Bazajve në Shkozë të Vlorës, më 1906. Ai erdhi në këtë botë prej nënës dhe atit të tij biologjik dhe sigurisht ka qenë vullneti i Zotit që e bëri anëtar shpirtëror të familjes së madhe dhe të mrekullueshme të frymëzuar prej urtësisë, moralit dhe parimeve më të lartë moralë të sendërtuara tek Piri ynë i ndritur, Haxhi Bektash Veliu. Padyshim në vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së parë, ai do të mëkohej përmes dashurisë prindërore, me shenjtërinë e maleve dhe lumenjve, me mallin për vendlindjen dhe me atë krenari të çdo vlonjati për Vlorën. Me imazhin e Vlorës, sa të butë e të mrekullueshme me miqtë, aq të egër dhe të sertë me armiqtë, djali nga Shkoza do të merrte mësimet e para, ato të dyerve të shkollës, së bashku me përjetimet në dyert e teqeve. Golimbasi dhe baba Bektashi, do të mbeteshin për të, dy objekte referimi, të cilat nuk do t’i hiqte dot nga sytë dhe zemra e tij e fortë, deri në frymën e fundit. Në moshën 17 vjeçare, ai nis udhën e vështirë të Hakut, duke u pranuar si muhib dhe duke dhënë besën në Mejdanin e teqesë së Golimbasit, atë besë që e mbajti si thesarin më të çmuar të gjithë jetës së tij të dlirë. .. Fati e dërgoi këtë dervish bektashian në disa teqe të Jugut të Shqipërisë, sepse vetë fati ynë në shekullin që lamë pas, ishte i trazuar për të gjithë. Ngjarje dhe njerëz të shumtë përfshihen paskëtaj në jetën e dervish Arshi Bazajt, por në çdo rrethanë, në çdo moment, sado i vështirë të ishte ky, dervishi ynë manifestoi urtësinë dhe qëndresën emblematike bektashiane, përpara çdo kthese të historisë së kombit. Në mënyrë të veçantë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, qysh në okupacionin Italian, shkëlqen ndjesia e thellë kombëtare e dervish Arshi Bazajt. Ai iu bashkua frymës popullore që nuk duronte dot zgjedhë të huaj, duke na kujtuar, midis të tjerave, mendimin e vyer të Haxhi Bektash Veliut, i cili 800 vjet më parë ka porositur: “Vëlla i Rrugës sonë! Duhet qëndruar sa më pranë urdhrave të Zotit të Lartësuar; duhen bërë ato që Ai na ka urdhëruar të bëjmë; duhet t’u rrimë larg gjërave të ndaluara, sepse vetëm kështu lartësohemi, vetëm përmes Marifetit do të takohemi me Të Lartët në Mahsher. Nënshtrimi ynë, në fund të fundit, është të falim namaz, të agjërojmë, të japim zekatin, të shkojmë në Haxh dhe së fundmi, të marrim pjesë në luftë kur atdheu është në rrezik”. Kanë qenë pikërisht këto arsyet, që duke ndjekur dy etërit e tij shpirtërorë, baba Shefqet Koshtanin dhe baba Rexheb Gjirokastrën, dervish Arshi Bazaj u inkuadrua në lëvizjen nacionaliste të shqiptarëve, për një atdhe të lirë, të pavarur nga askush, që do të vendoste me vullnetin e tij demokratik, fatet e ardhshme. 
Siç e dimë të gjithë, vuajtjet shpirtërore dhe fizike të vëllait e babait tonë nga Koshtani në Golimbas, nga teqeja e Zallit në Selinë tonë të Shenjtë, nga kampet e refugjatëve në Greqi dhe Itali, nga Durballi Sulltani në teqenë e Kajros në Egjipt, u mbyllën me udhëtimin e tij për këtu, në tokën e bekuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh nga çelja e kësaj teqeje, në majin e vitit 1954 dhe deri kur ndërroi jetë, shpirti i dervish Arshiut ka manifestuar vetëm devocion, morali i lartë i tij ka ndriçuar në qindra ngjarje dhe duart e krahët e tij kanë dëshmuar përkushtimin e një prindi të dhembshur për çdo besimtar, pavarësisht fesë, idesë apo besimit. Ai ishte dhe mbeti model i një kleriku që dhe me sytë e zemrës thellësitë më të skajshme të shpirtrave. Një myrshid shpirtëror i pakrahasueshëm i Shenjtorit tonë, baba Rexhebit. Këtë ide formulova së pari kur erdha në këtë teqe në vitin 2004, sepse jo vetëm doktrina dhe traditat tona të mrekullueshme, por fryma dhe shija e hollë e baba Rexhebit, mbetën të pa cënuara në këta 20 vjet të kalimit të tij nga kjo botë. Një myrid i përvuajtur dhe origjinal në përuljen e vet, duke mos u ndarë asnjë ditë, asnjë moment nga Myrshidi i tij, por duke udhëzuar e drejtuar me dashuri të thellë brezat e besimtarëve për në rrugën e Zotit, për në rrugën e një familjeje të fortë, për në rrugën e manifestimit të devocionit ndaj halleve të Shqipërisë sonë. Për baba Arshi Bazaj mund të flasim sot shumë. Jeta dhe vepra e tij do të mbeten të gjalla në memorien tonë, në memorien e brezave, në historinë e lavdishme të bektashizmit botëror. Ato do na shërbejnë ne, përveç të tjerave, për të kuptuar se në themele të çdo tyrbeje e teqeje, në themele të çdo besimi, në themel të çdo tradite të vyer fetare, është pikërisht sakrifica dhe devocioni i palëkundur në rrugën e Hakut. ..”
Përkujtimi në dy vjetorin e ndarjes nga jeta
Që nga dita e mart, në mjediset e teqesë bektashiane në Detroid të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka një gjallëri të jashtzakonshme. Fluksi i besimtarëve vijnë në këtë teqe, luten, falen dhe rikujtojnë mbresat e takimeve jetëdhënëse me baba Arshi Bazajn. Ndërsa në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ky përkujtim ka angazhuar një sërë aktivitetesh. Kështu, krahas pritjeve nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në muzeun e kësaj Sellije, është mundësuar kontakti vizual me jeteën dhe aktivitetin e klerikut Arshi Bazaj.
Detaj
Përshëndetja e Barak Obamës
Në përshëndetjen që Presidenti i Amerikës Barak Obama, i dërgoi teqesë bektashiane në Detroit-Miçigan, në jubileun e 60-vjetorit të saj më 18 qershor 2014, midis të tjerave shkruan: “Kam kënaqësinë që të bashkohem me kremtimin e 60 vjetorit tuaj. Gjatë gjithë historisë së kombit tonë, vendet e adhurimit na kanë bashkuar në frymën e besimit dhe dashurisë. Ofrimi i hapësirës për kremtimin në kohë gëzimesh dhe hidhërimesh në kohë të pasigurta, ndihmojnë dhe nxitin ndenjën e fortë të komunitetit, duke na ftuar të përmbushim përgjegjësitë më të skajshme për të venë vehten në shërbim të të tjerëve!”
Njoftim
Ditën e enjte, datë 28 dhjetor 2017, duke filluar nga ora 10:00, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, priten vizita me rastin e dy-vjetorit të ndarjes nga jeta të Haxhi Baba Arshi Bazajt, ish-drejtues i teqesë së Detroitit në SHBA.
Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj
Sigal