Dy atentate në Tiranë, 1 i vdekur e 4 të plagosur, mes tyre Shullazi

575
Sigal

TIRANË – Një i vdekur dhe katër të plagosur është bilanci i dy atentateve që tronditën kryeqytetin në orët e mbrëmjes të së hënës, në dy ngjarje të njëpasnjëshme brenda një harku kohor të pak minutave.
 
Në atentatin e Rrugës së Kavajës humbi jetën si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve rivale Arianit Sterjo me emrin e ndryshuar në Artur Baze, dhe u plagosën Pajtim Seriani dhe Roland Meta, ky i fundit efektiv policie. Ndërsa në atentatin e dytë pranë Qafë-Kasharit, mbetën të plagosur Emiljano Shullazi dhe shoku i tij Gilmando Dani, emra këta të njohur për drejtësinë shqiptare. Makina me të cilën udhëtonin u qëllua me breshëri automatiku ndërsa ktheheshin nga Rinasi, nga persona ende të paidentifikuar.

Shkembimi i zjarrit mes grupeve rivale ne Rrugen e Kavajes lë nje viktime dhe dy te plagosur
Sipas grupit hetimor, në atentatin e parë gjithçka ka ndodhur në orën 19:40 të së hënës në harkun e 8 minutave nga shkëmbimi i zjarrit midis dy grupeve rivale në rrugën “Islam Alla” e që më pas u zhvendos në rrugën “Him Kolli” pranë Kishës Katolike në Rrugën e Kavajës. Fillimisht Artur Baze dyshohet se ka qëlluar me pistoletë ndaj Pajtim Serjanit, Denis Ramanit, Ditmir Reçit dhe efektivit Roland Meta, në tentativë për t’i vrarë ata, por pa mundur të realizojë planin e tij. Pasi ka qëlluar në ambientin e lokalit ku ndodheshin shtetasit e mësipërm, Baze është larguar në drejtim të rrugicës “Him Kolli” për të humbur gjurmët, por i ndjekur nga këta të fundit dhe në një shkëmbim zjarri, ai ka mbetur i vrarë. Sipas policisë së Tiranës ekzekutimi i tij dyshohet të jetë kryer nga efektivi Roland Mete, i cili ka ndërhyrë në sulmin me armë, nga ku mbeti dhe vetë i plagosur rëndë.

Polici jashte sherbimit arrestohet ne flagrance, dyshohet se vrau Artur Bazen gjate sulmit me arme
Policia bëri arrestimin në flagrancë të efektivit Meta, pasi mbetet e paqartë prania e tij në skenën e krimit, paçka se zyrtarisht policia sqaron se ai nuk ka qenë në orarin e punës apo i përfshirë në operacionin e atentatit në rrugën e “Islam Alla”.

Atentati i dyte ne Qafe-Kashar, qellohet me bresheri makina e Emiljano Shullazit, plagoset edhe shoku i tij
Në një kohë kur efektivët e Policisë së Tiranës ishin të fokusuar në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes me një viktimë e dy të plagosur në harkun kohor të pak minutave salla operative do të raportonte një atentat në Qafë-Kashar në rrugën Tiranë-Rinas, ku i plagosur mbeti Emiliano Shullazi. Fillimisht u raportua se Shullazi udhëtonte i vetëm në automjetin tip Golf me targa AA 669 HR, ndërsa vetëm mëngjesin e kësaj të marte policia konfirmoi dhe të plagosurin e dytë nga breshëria e automatikut. 

I plagosur sipas policisë mbeti edhe Gilmando Dani, i cili ka qenë duke udhëtuar me Shullazin në të njëjtin automjet. Policia tha se në atentatin ndaj Shullazit dhe Danit kanë qenë dy automjete të cilat i kanë ndjekur ata dhe më pas kanë qëlluar me breshëri 20 herë ndaj tyre. Aktualisht Shullazi dhe Dani janë jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës, ndërsa për grupin hetimor ende autorët e kësaj ngjarje mbeten mister.


Hetim i vecante edhe per perfshirjen e efektivit te policise 
Njëkohësisht me hetimet për zbardhjen e autorëve të dy atentateve që tronditën kryeqytetin një natë më parë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit ka nisur një hetim të veçantë për efektivin Roland Meta i mbetur i plagosur dhe i pranishëm në skenën e krimit paçka se nuk ishte në shërbim.


Njoftimi zyrtar i Policise se Tiranes per dy atentatet

Ora 10:30 e dates 6 Janar

Më datë 05.01.2015 rreth orës 19.40, në rrugën e Kavajës në Tiranë, është vrarë si pasojë e një shkëmbimi zjarri, shtetasi Arjanit Sterio Alias, 42 vjeç, banues në Tiranë. 

Paraprakisht, dyshohet se viktima ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasit : Pajtim Xhevahir Serjani, 32 vjeç, Denis Reshat Ramani, 28 vjeç, Ditmir Dilaver Reçi, 33 vjeç dhe Roland Besnik Meta, 37 vjeç, ky i fundit me detyrë punonjës policie pranë Njësisë së Operacioneve Speciale. 
Fillimisht, është plagosur në pjesën e këmbës shtetasi Pajtim Serjani, i cili menjëherë pas ngjarjes është transportuar për në Spitalin Universitar Tiranë. 

Ndërkohë, gjatë këtij shkëmbimi zjarri ka ndërhyrë punonjësi i policisë Roland Meta, ku më pas sulmi ka vijuar duke mbetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio dhe është plagosur rëndë punonjësi i policisë Roland Meta. Nga një analizë e hollësishme e bërë, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e punonjësit të policisë është bërë dhe arrestimi në flagrancë i tij. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 – copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 9mm, 3 -copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 7.62 mm, një armë zjarri pistoletë m-54, një armë zjarri Bereta si dhe automjeti me targë AA417 KU. 

Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të « Vrasjes me dashje ».

Ndërkohë që po vijojnë hetimet dhe për çdo ecuri do t’ju informojmë. 

Më datë 05.01.2014 nga Seksioni Kundër Akteve Terroriste në Policinë e Tiranës, filloi proçedimi penal dhe punohet për kapjen e autorëve, pasi mbrëmë rreth orës 19.30, në fshatin Bërxullë Tiranë, në afërsi të mbikalimit Kashar, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, të cilët përgjatë momenteve të ngjarjes po udhëtonin me automjetin e tyre, tip Golf 4, me targë AA629HR.

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur shtetasi Emiljano Hajdar Shullazi, 36 vjeç dhe Gilmando Nesim Dani, 36 vjeç, të cilët janë ndodhen nën kujdesin e mjekëve. 

Në vendin e ngjarjes, u formua grupi hetimor të cilët kryen veprimet e para hetimore, duke mbledhur dhe administruar provat në vendngjarje dhe sekuestruar disa gëzhoja. 

Materialet hetimore ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbatje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 22 dhe 278/4 i Kodit Penal.