Durrës/ Vritet miku i Denis Shtrazës, plagoset një tjetër

466
Një person me precedentë penalë ka humbur jetën mbrëmjen e së martës në qytetin e Durrësit, ndërsa policia deklaron paraprakisht se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. 
Asllan Kërtusha, 29 vjeç, i njohur për shoqërinë me Denis Shtrazën, të arrestuarin si i dyshuar për rrëmbimin e vrasjen e Gaz Çollakut, nuk ka mundur të mbijetojë pas plagosjes me pistoletë. I njohur edhe si konsumator i rregullt i pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, viktima dyshohet të jetë konfliktuar në një nga lokalet pranë Ujësjellës Kanalizimeve Durrës me personin që ka mbetur i plagosur në vendin e ngjarjes, shtetasin Blendi Kajno, 34 vjeç. 
Viktima dhe autori kanë qenë në të njëjtën tavolinë kur kanë nisur debatin. Asllan Kërtusha ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Kajnos, duke e lënë të plagosur. Por pronari i lokalit, kushëri i të plagosurit, 30-vjeçari Gëzim Kajno, ka ndërhyrë duke e nxjerrë jashtë lokalit Kërtushën. Në përleshje e sipër i ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi të duke e lënë të plagosur rëndë. 
Autori i dyshuar është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa i plagosuri Kajno mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë viteve të fundit viktima është gjykuar për vepra të ndryshme penale, duke nisur nga ajo e kundërshtimit të punonjësit të policisë, prishjes së rendit publik, armëmbajtje pa leje, plagosje të lehtë, deklarim të rremë. Së fundmi, ai ishte në gjykim për kundërvajtjen penale “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit”.
Sigal