Durrës/ Tre persona grabisin një lokal në zonën e plazhit

456
Një biznes në zonën e plazhit në Durrës është bërë objekt i një grabitjeje, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Ka qenë ora 1:45 minuta, kur tre persona të maskuar duken në pamjet e kamerave të sigurisë teksa afrohen në hyrjen e lokalit. Dy prej tyre arrijnë të hapin derën dhe brenda pak minutash kanë kryer grabitjen. “Për 20 minuta është bërë gjithë kjo luftë kështu, nuk ka dëgjuar policia. Dhe unë them ku ishte policia për 20 minuta që janë bërë dy rrugë me veturë këtu”- shprehet pronari i lokalit.

Në pamjet e kamerave të sigurisë duket qetësia me të cilën kanë vepruar grabitësit, dy prej të cilëve arrijnë të hapin derën pa dorashka, duke lënë shenjat e gishtave në vendngjarje. Rreth orës 02:30 minuta, rreth 40 minuta pa grabitjes, kanë mbërritur oficerët e parë të policisë së Durrësit, të cilët kanë nisur këqyrjen e vendit të ngjarjes. Pronari i lokalit dyshon se grabitësit janë banorë të zonës e të identifikuar nga policia, që kanë kryer një numër të madh grabitjesh, pikërisht në zonën e plazhit. Pronari deklaron se dëmi nga kjo grabitje e kalon shifrën 10 mijë euro. Ndërsa rrëfen se është i rregullt në pagesën e taksave dhe tatimeve, ai apelon shtetin për drejtësi, duke theksuar se bandat e grabitësve po shëtisin të lirë.
Sigal