Durrës, pika e bllokimit të automjeteve, han pa porta

1189
Sigal

Në këto pika bllokimi çmontohen natën pjesët e makinave nga “specialistët”, që bien në ujdi me rojet dhe shefat e tyre

 Mijra makina që bllokohen në organet policore, për shkaqe të ndryshme vazhdojnë të jenë pre e abuzimeve. Ndërkohë strukturat policore, që përgjigjen për ruajtjen dhe miradministrimin e tyre, jo vetëm nuk e bëjnë detyrën për të cilën paguhen, por në shumë raste bëhen pjesëtarë direkt ose indirekt më këto mjete për qëllime përfitimi. Pikat e bllokimit të automjeteve nga policia shpesh janë kthyer në vende, ku kryhen çmontimet dhe ndërrimet e pjesëve nga “specialistët”, që bien në ujdi me rojet dhe shefat e tyre. Këto pika ku qysh nga viti 1993 me një VKM  grumbullojnë çdo mjet tokësor dhe detar të kapur kontrabandë dhe me mungesë dokumentacioni të ligjshëm, janë kthyer në vende, ku shteti ka humbur dhe vazhdon të humbasë miliona dollarë, pasi nuk ka arritur të kalojë në pronësi të tij si dhe të përdorë me mijëra automjete të bllokuara. Bëhet fjalë për skafe e gomone, automjete të markave dhe tipeve të ndryshme, motorë etj.. I gjithë ky arsenal mjetesh, tashmë ndodhet thuajse i amortizuar dhe ka dalë jashtë përdorimit ndërsa një pjesë tjetër me kohë ka përfunduar përgjatë brigjeve të detit. Kjo situatë ka ndodhur  për shkak se strukturat shtetërore nuk kanë qenë në gjendje që ta përdorin atë për nevojat e veta që për hir të së vërtetës janë të shumta. Policia Kufitare ka patur dhe ka nevojë urgjente për mjete patrulluese dhe kanë qenë ndërkombëtarët ata që e kanë mbushur këtë boshllëk me donacione të ndryshme. Edhe mjaft institucione shtetërore kanë në përdorim automjete të vjetra e që i ka ardhur koha të zëvendësohen me mjete të reja si dhe të tjerë institucione që nuk disponojnë fare automjete për mungesë fondesh, fare e mirë do të pajiseshin nga ky kontingjent automjetesh që mbahen të bllokuara. Durrësi ka 4 pika në të cilat ndodhen të bllokuara automjete të tipeve dhe markave të ndryshme, si në Shkozet, në Rrashbull, në një prej kalatave të portit dhe brenda territorit të Drejtorisë së Policisë. Një pjesë e mirë e automjeteve janë në gjendje shumë të mirë pune të bllokuara gjatë vitit 2013 dhe 2014, kurse disa të tjera kanë dalë jashtë përdorimit për shkak të kohës së gjatë të bllokimit. Pika e bllokimit në Shkozet shpesh është bërë vendi ku ndodhin edhe çmontimet e pjesëve të automjeteve dhe kjo ndodh natën. Por atje nuk kanë munguar edhe zjarret  që kanë rrezikuar lagjet e banuara. Automjetet që mbahen të bllokuara do të ishin një shans i mirë për të plotësuar nevojat e këtyre institucioneve, pasi shitja e tyre do të realizohej me çmime simbolike. Por duket se të njëjtin fat me makinat dhe skafet kanë pasur edhe anijet e bllokuara, ku një pjesë e tyre kanë përfunduar në fund të detit. Ka ardhur koha që pikat e bllokimit të automjeteve dhe mjeteve detare, të trajtohen ndryshe duke shfuqizuar VKM e vitit 1993, dhe për të ndaluar abuzimet dhe shkatërrimin e tyre nga persona të papërgjegjshëm, të veshur dhe të lidhur me njerëz me poste të larta deri në kupolën drejtuese të Ministrisë Brendshme.

Artur AJAZI