Durrës/ Kërkojnë t’i nxjerrin nga shtëpia, dy vëllezër kërcënojnë të hidhen nga tarraca e pallatit (Foto)

547
Një ngjarje e rëndë po ndodh në Durrës, ku dy vëllezër kërcënojnë se do hidhen nga pallati. Episodi është regjistruar në lagjen nr.11 të qytetit bregdetar. Nga hetimet e para të policisë mësohet se shkak është bërë kthimi i banesave të tyre tek ish-pronarët.
Dy vëllezërit, kanë hipur në tarracën e pallatit, dhe me dokumentacione në dorë kërcënojnë se do të hidhen nga kati i katërt i pallatit, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ku sipas saj është vendosur që shtëpia t’u kthehet pronarëve. Ndërkohë, familjarët e tyre janë bllokuar në apartament, dhe kanë bërë të qartë nuk dalin për asnjë arsye nga banesat e tyre.
Gazetarja e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Klodjana Haxhiaj raporton nga vendi i ngjarjes se disponon dokumentacionin e vëllezërve Bejko, të cilët prej katër vitesh e kanë ndjekur këtë çështje ligjërisht në gjykata. Po ashtu, Haxhiaj deklaron se këto dy familje kanë edhe një vendim të Gjykatës së Lartë, e cila ka qenë në favor të të dyve. Mes të tjerash thuhet se Përmbarimi ka qenë disa herë në banesën e tyre, ku jetonte prej gati 40 vitesh, ndërsa vendimi i tyre sot është i prerë. Sakaq, policia ndodhet në vendngjarje, ku po negocion me dy vëllezërit Bejko.

NJOFTIMI I POLICISE
Dy banorë në lagjen nr. 11 të qytetit të Durrësit deklarojnë se do të vetëvriten.
Shkak është bërë kthimi i banesave të tyre tek ish-pronarët. Përmbarimi i ka kërkuar dy familjeve që të dalin nga banesat dhe t’ua kthejnë ato ish-pronarëve. Por këta banorë pretendojnë që dokumentacioni është fals dhe nxjerrja e tyre është e paligjshme. Për këto arsye, ata kanë deklaruar se nëse do t’i nxjerrin jashtë shtëpisë do të vetëvriten duke u hedhur nga pallati.
Sigal