Durim Bami:U pagova nga Tom Doshi për të thënë versionin e tij

507
Sigal

I akuzuari si killer nga Tom Doshit, për vrasjen e tij.  Përgënjeshtron pretendimet e deputetit se ai gjoja është paguar për vrasjen e tij

Javën e kaluar, Tom Doshi, ende si deputet i PS-së, deklaroi në grupin parlamentar të kësaj partie, se kërkonte të takonte kryeministrin Rama, për t’i shfaqur pakënaqësitë e elektoratit të tij, për mosmbajtjen e premtimeve të qeverisë. Madje, duke shkuar më tej, Doshi tha, se ministrat e qeverisë nuk i hapin atij as telefonin, për të përcjellë te ata, problemet e elektoratit të tij.

Konfliktet e Doshit me ministrat

Për këdo që e njeh Doshin, pakënaqësitë e para që shprehu Tom Doshi, se ministrat nuk i hapin telefonin, jo vetëm që nuk mund të besoheshin mbasi dukeshin absurde, sepse e vërteta është krejt ndryshe. Doshi, që njihej në PS si një nga miqtë më të afërt të kryeministrit, kishte lirinë të takohej “pa vështirësi” me këdo ministër. Madje, në kontaktet personale që kishte Doshi me shumicën e ministrave, u kërkonte atyre, secilit, që nga ministrja Nikolla, emërime të njerëzve në DAR e në shkolla, ndërkohë që ministrit Tahiri i kërkonte të emëronte njerëzit e tij në policinë e shtetit, me ministrin Bushati, për t’i bërë hatëre  për të punësuar njerëzit e tij qoftë edhe shoferë në ambasadat tona, me ministrin e Financave për t’i bërë lehtësime doganiere, me drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve, për rimbursime, etj. Kur ministrat e kishin të pamundur të plotësonin të gjitha kërkesat e deputetit në fjalë, ka ardhur edhe konflikti, deri në etiketimin e tij, të shprehur si mospërmbushje e premtimeve të qeverisë ndaj elektoratit të vet.

Tymnaja e shashkës së akuzave “Doshi”

Deputeti Tom Doshi, fillimisht u foli deputetëve socialistë, me gjuhën e kritikave të elektoratit të vete dhe në emër të elektoratit të vet ndaj qeverisë, kryeministrit, ministrave. Mirëpo, kur prova e ballafaqimit të tij një ditë më pas, në sallën e parlamentit me kryeministrin ndodhi, por Doshi nuk u çua që të fliste në emër të elektoratit për kritikat ndaj qeverisë, kryeministrit, ministrave, nga tribuna e parlamentit, por zgjodhi oborrin e parlamentit, për të hedhur shashkat e akuzave: “Jam në luftë me kryeministrin. Nëse hap gojën unë, do të tronditen themelet e kësaj maxhorance dhe të qeverisë!”. Doshi, harroi elektoratin e braktisur, sipas tij, nga qeveria e tij, por çështjen e ktheu personale, kur aludoi se ndaj tij kishin inskenuar atentat dhe në prapaskenë dhe se në prapskenë ishte kryeministri (deri në atë moment, Toma njihej publikisht si miku i kryeministrit). Pak orë më vonë, pasi u hap goja e Doshit, dolën edhe akuza të tjera, si ajo dozë anestezie, që i shtohet një të sëmuri, pasi nuk e ka zënë mirë narkoza. Doshi, kësaj here, duke dashur të lëvizë vërtet ”themelet” e maxhorancës (jo vetëm të PS-së), deklaron se nuk qenka kryeministri, por kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, që (sipas Doshit) kishte paguar killer për ta vrarë. Kaq mjaftoi, që të ndizej atmosfera politike dhe të fillonte stina e bubullimave të deklaratave.

Pas 24 orësh, Durim Bami përmbysi versionin e Tom Doshit

Menjëherë sa Tom Doshi bëri publike tentativat e tij për vrasje nga killer të paguar nga kryetari i Kuvendit, policia ndaloi të hënën shtetasin Durim Domi, i cili, për policinë kishte statusin e “të pandehurit”, killer, të një vrasjeje, që 5 muaj më parë vetë Tom Doshi e kishte pohuar kryeministrit Rama, ministrit Tahiri, si edhe Prokurorit të Përgjithshëm, Llalla. Durim Bami, nga “ï penduar” në favor versionit të Doshit, tashmë akuzon Tom Doshin, si “skenaristin” që sajoi gjithë historinë dhe akuzat publike ndaj kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Gazeta “Telegraf”, ka mësuar, se para prokurorëve Perparim Kulluri e Manjola Hasa, i arrestuari Bami ka mohuar të ishte porositur nga ndonjë person, për të kryer vrasjen e deputetëve Tom Doshi e Mëhill Fufi. Deklarimi i ri Bamit, se “Tom Doshi thuri skenarin e atentatit. U pagova nga Doshi, për të thënë versionin e tij. Thashë para kamerës, atë  më kërkoi Doshi. Thashë në kamera, që mora urdhër “nga lart”. Doshi më bleu një automjet luksoz. Më çoi tek Tahiri, të thosha emrin e Metës. Në zyrën e Tahirit foli thuajse gjithë kohës Tom Doshi”.- mësohet të ketë thënë 36-vjeçari Bami. Burimet nga prokuroria, deklaruan për gazetën “Telegraf”, se Bamit i është ofruar bashkëpunim me drejtësinë, për të treguar emrat e personave që përmend deputeti Doshi, por ai nuk ka pranuar. Në prani të një avokati të caktuar nga shteti, Durim Bami ka rrëfyer me detaje të gjitha bisedat dhe takimet që ka pasur në një lokal me deputetin Doshi dhe një deputet tjetër. Për këto takime ka dhe filmime, të cilat ende nuk janë bërë publike. Mësohet, se edhe dëshmia e tij është regjistruar me kamera nga prokuroria, ku flitet për kohën dhe mënyrën si janë njohur me Doshin, njohje kjo e mundësuar përmes një deputeti të zonës së veriut në Fushë-Krujë. Më pas, takime ka pasur edhe ne Tiranë e Durrës, ku Doshi sipas tij, i ka ofruar shpërblim financiar dhe siguri për të e familjen. Nuk jepen detaje për shumën e parave apo përfitimet e tjera që ka pasur Bami për rolin që do luante në këtë “”telenovelë, por nga skeda e tij që ndodhet në dosjet e policisë, rezulton i pa proceduar ndonjëherë. Burimet thonë, se Bami disa herë ka lëvizur nga Shqipëria. Dalja e fundit është bërë më 22 shkurt së bashku me familjen, të cilën mendohet se e ka strehuar diku jashtë Shqipërisë. Ndërkohë edhe ai vetë, ka tentuar të dalë nga Shqipëria mbrëmjen e së hënës, por në pikën e kalimit kufitar në “Hani Hotit” është ndaluar nga policia.

Prokuroria ccon në pranga Durim Bamin, akuza: “Për vrasje”!

Skenari i atentatit edhe pse Durim Bami rrëfeu se ishte i sajuar, ccoi në pranga pikërisht 36-vjeçarin Bami, si personi që dyshohet se “u porosit për të vrarë” deputetët Tom Doshi e Mhill Fufi. Bami, i shoqëruar prej mbrëmjes së të hënës është ndaluar me urdhër të prokurorisë, pasi akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë”. Burime nga Prokuroria, pohojnë se Bami konsiderohet person me interes për hetimin. Prokurori i çështjes, ka firmosur në mesditën e djeshme urdhër-arrestin për Bamin, i cili u ndalua ndërsa tentonte të largohej nga Shqipëria, në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit drejt Malit të Zi.

Spartak Braho, përballë deputetëve të PD: “Kush ju ka thënë, që Meta donte të vriste Doshin”?!

Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, edhe pse çështja “Doshi” nuk ishte në rendin e ditës për t’u diskutuar, deputetët kanë debatuar me tone të ashpra midis tyre, madje edhe duke shkëmbyer akuza të ndërsjella. Fillimisht, deputeti Ristani ka kërkuar që kryetari i Kuvendit Ilir Meta të japë dorëheqjen, në mënyrë të tillë, që t’i lejojë mundësinë hetimeve të zhvillohen në mënyrë të pandikuar nga politika. Madje Ristani, tha se PD-ja do të dorëzojë edhe një mocion mosbesimi ndaj kryetarit të Kuvendit. Kjo kërkesë, për të diskutuar në këtë Komision këtë çështje, u kundërshtua nga kryetari i këtij komisioni Fatmir Xhafa, mirëpo deputetët Bylykbashi e Strazimiri kërkuan me forcë, që nëse nuk jepet kjo dorëheqje ata nuk mund të qëndrojnë më në ato karrige, mbasi sipas tyre, u rrezikohet jeta. Duket se debatin eka mbyllur deputeti Spartak Barho, duke iu drejtuar Ristanit: “Kush ju ka thënë juve, që Meta donte të vriste Doshin? Dëshmitari që përmendi si killer Doshi i ka hedhur poshtë këto sajesa. Për votëbesimin e Metës, mos keni merak se do ta trajtojmë me shumë merak”.

Doshi të premten në prokurori, Tahiri zbardhi takimin, PD “punon” akoma variantin “Doshi”

Dje, për herë të parë, prokuroria zyrtarisht ka thirrur deputetin Doshi, të parqiutet ditën e premte, për të dorëzuar çdo provë që ka për akuzat që ka bërë ndaj kryetarit të Kuvendit, për organizim të atentatit ndaj tij. Zhvillimet e këtyre ditëve pas daljes në skenë të ccështjes “Doshi”, kanë treguar se zyrtarisht ende nuk është provuar asnjë akuzë, përvecc deklaratave mediatike të bëra në formë replikash nga deputeti Doshi dhe sqarimet po mediatike të ministrit Tahiri për gjithë historinë 6 mujore të ccështjes “Doshi”. Kjo mënyrë komunikimi për të thënë të vërtetën që pretendohet, nuk është marrë aspak parasysh nga ish-kryeministri Berisha, i cili po e shikon cështjen “Doshi” si një “pasuri” për të bërë opozitë ekstreme, me synimin që tashmë eka shpallurm, për të rrëzuar qeverinë “Rama”. Këtë rast do ta shfrytëzonte ccdo opozitë, nëse mazhoranca do kishte heshtur, por në rastin konkret mazhoranca foli publikisht nëpërmjet ministrit të brendshëm, që njeherazi është edhe “foltorja”, ku deputeti Doshi shkoi e u rrëfye dhe këkroi ndihmë! Edhe pas deklarimit të detajuar sqarues të mazhorancës, PD, këtë herë nën komandën e Berishës, po avzhdon të bëjë opiztë duke “punuar” me variantin e dhënë prej deputetit Doshi. Kur foli PD, heshti PS, tani që foli PS, duhet të hesht PD, mbasi ka përballë edhe disfavorin publik: dëshmia mohuese e Bamit, ia ka “lagur barutin” dhe momenatlisht deri sa të flas drejtësia, ia ka asgjësuar të drejtën publike, për tú përpjekur të mbajë “ndezur një zjarr që duket i fikur”! në këtë pozicion që Bami e vendosi ccështjen “Doshi””, për opozitën dhe për politikanin e “stazhionuar” në të tilla momente ish kreun e PD Sali Berisha, do të ishte më e pranueshme finesa që të përdorej “durimi”, mbasi sot pas 4 ditësh kemi një tjetër dëshmi totalisht të kundërt, dhënë prej Durimit të “atentatit”, që u vetë-shpall edhe “atentator” edhe “aktor” në telenovelën me 1 akt “Doshi”, por kemi edhe deklarimin e një ministri, që dha versionin e tij.

PD me mocion kundër Metës,i miratuar nga Meta

PD-ja depozitoi dje në Kuvend mocionin për shkarkim të kryetarit të kuvendit Ilir Meta. Në mocion, renditen të gjitha arsyet përse demokratët mendojnë se Meta duhet të lërë postin që mban për t’i hapur rrugë hetimeve. Informacionet që ka gazeta “Telegraf”, nga burime brenda ekipit drejtues të PD dhe grupit parlamentar të saj, qarkullon skenari opozitar për ta përfshirë mocionin në senacën e sotme, të rikthejnë si mjet beteje “bojkotin 2015”, por që sipas disa zërave, nuk do ta kalojë limitin kohor të bojkotit tradicional parlamentar të politikës shqiptare.

Reagimet e personazheve të përmendur në skenarin “Doshi”

Deputeti Fufi: Kolegu Doshi, nuk më ka vënë në dijeni për antentin

Deputeti i PD-së, Mhill Fufi, “thyen” heshtjen. Nëpërmjet një deklarate për mediat, ai ka folur në lidhje me deklaratat e Tom Doshit, se “kreu i Kuvendit Ilir Meta ka porositur vrasjen e tij dhe deputetit Doshi”. Deputeti Fufi, u shpreh se askush nuk e ka lajmëruar atë 6 muaj më parë për ekzistencën e një plani për eliminimin e tij fizik. “Edhe pse rezulton se Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe Ministri i Brendshëm paskan pasur informacion prej 6 muajsh për një plan të eliminimit tim fizik, unë nuk jam thirrur dhe as nuk jam informuar nga asnjë organ apo institucion për këtë skenar. Në këto kushte, hedh poshtë trillimet e bëra nga deputetë të caktuar dhe nga Kryetari i Kuvendit, sipas të cilëve më është ofruar mbrojtje fizike”, thotë deputeti.

Fatmir Mediu: “Nuk kam pasur shofer, mos më bëni objekt skenaresh”

Kryetari i PR-së, Fatmir Media, deklaroi dje  se ministri Saimir Tahiri, lëshoi një mashtrim publik me deklaratën se porositësi i pretenduar i vrasjes së Tom Doshit ishte një ish-shofer i Mediut. Nga ana tjetër, Mediu ngriti disa pikëpyetje për të vërtetën e zbuluar nga Tahiri, mbi dosjen “Doshi”, njëra prej të cilave ishte: Pse ministri del pas 6 muajsh, kur të vërtetën e kishte provuar disa muaj më parë?! Unë deklaroj se po bëhet manipulimi i së vërtetës, tha ai. Kreu republikan sqaroi se Fatjon Skënderi, i përmendur si porositësi i vrasjes së deputetëve në çështjen “Doshi”, ka qenë shofer në Partinë Republikane në vitin 1991 deri në vitin 1993. e gjithë kjo është një përpjkeje për të përfshirë emrin tim në këtë skenar, që synon fshehjen e të vërtetës.

————————————–

 Ambasadori i SHBA Donald Lu: “Keni mbështetjen e SHBA-ve për punën e Parlamentit”

Një e mërkurë e ngjeshur me takime zyrtare. Ambasadori i SHBA-ve në vendin zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës Bujar Nishani. Takimi nisi rreth orës 12:30 dhe ka zgjatur rreth 30 minuta. Takimi vjen menjëherë pas dy takimeve që u zhvilluan në kryesinë e kuvendit të Kryeministrit Rama me Ilir Metën dhe të kryeparlamentarit Meta me deputetë dhe ministra të LSI. Por po ashtu ky takim vjen një ditë pasi Donald Lu u takua me kryeopozitarin Lulzim Basha. Nuk dihet nëse takimi i ambasadorit Lu me Nishani ka lidhje me akuzat e Doshit ndaj Ilir Metës, pasi nuk kishte një njoftim zyrtar, por ambasada e SHBA ka përshëndetur përjashtimin e Tom Doshit nga grupi i PS, pasi sipas tyre pretendohet se Doshi është i përfshirë në veprimtari kriminale. Një ditë pas takimit që dy ambasadorë zhvilluan me kryetarin e PD Lulzim Basha, një zëdhënës i Ambasadës Amerikane zbardh qëllimin e takimit. Zëdhënësi i ambasadës së SHBA-së bën me dije se ambasadori Donald Lu u takua me zotin Basha për të riktheksuar mesazhin në deklaratën tonë ku “i bënim thirrje të gjitha partive të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale ose korruptive”. Po sipas zëdhënësit, ambasadori Lu në këtë takim ka theksuar mbështetjen e SHBA për punën e Parlamentit për të zhvilluar legjislacion në përputhje me rezolutën e dhjetorit 2014 për dekriminalizimin.

Rama takohet me Ilir Metën në Kryesinë e Kuvendit

Pas ngjarjeve të ditëve të fundit, të rënduara me tension politik, për shkak të akuzave të deputetit Tom Doshi, kryeministri Edi Rama takoi dje në Kryesinë e Kuvendit, Ilir Metën. Takimi ka vijuar përreth 1 orë dhe shefi i mazhorancës prej andej ka dalë i vetëm me telefonin gjithmonë nën vëzhgim.Nuk bëhet asgjë e ditur rreth temës se takimit, por çështjet kryesore të debatit rreth akuzave të Doshit mësohet të kenë  qenë në vëmendje.Gjatë dy javëve të fundit, mes Ramës dhe Metës ka pasur takime të herë pas hershme, ku është diskutuar një tjetër çështje mjaft e nxehtë, siç është ajo e ndarjes së Bashkive mes dy partive kryesore të koalicionit.

 Ilir Meta mbledh grupin parlamentar të LSI-së dhe ministrat e saj

Disa orë pas këtij takimi, rreth orës 11:45, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zgjedhur Kryesinë e Kuvendit, për të mbledhur dhe  grupin parlamentar bashkë me  ministrat e partisë së tij në qeverinë “Rama”. Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe asnjë prej pjesëmarrësve, nuk ka bërë të ditur asgjë rreth asaj që është diskutuar. I vetmi që ndaloi para mikrofonave të medias ishte deputeti Vagjel Tavo, i cili, gjithsesi, takimin e quajti një mbledhje rutinë. Por nga burime brenda mbledhjes mësohet se çështja kryesore ka qenë situata e krijuar pas akuzave të Tom Doshit dhe koordinimi i grupit parlamentar për çështjet që do diskutojnë nesër në Parlament. Për seancën e sotme deputeti, Spartak Braho ka paralajmëruar surpriza dhe  për këtë ka kërkuar vendosjen e një videoprojektori në sallën e seancave parlamentare.

 Meta  firmos brenda orës mocionin e PD-së për shkarkimin e tij                                     

Pas kërkesës së PD-së për mocion, për shkarkimin e kreut të Kuvendit, kanë nisur tashmë procedurat. Pavarësisht faktit se kërkesa bëhet ndaj vetë drejtuesit të institucionit ligjvënës, duket se Meta e ka pritur qetësisht kërkesën e PD-së, duke nisur kështu menjëherë procedurat për shqyrtimin e saj. Sipas burimeve të mirëinformuara të gazetës “Telegraf”, Meta menjëherë pas mbërritjes së kërkesës në Kuvend ka firmosur dhe ka iniciuar procedurën ligjore. Për këtë kërkesë të PD-së, Meta ka njoftuar edhe grupet parlamentare. Në mocion renditen të gjitha arsyet përse demokratët mendojnë se Meta duhet të lërë postin që mban për ti hapur rrugë hetimeve