Drogë nga Shqipëria drejt Italisë, 26 të arrestuar nga “Smoke Snake”

463
Vazhdon operacioni i Policisë Italiane për eliminimin e rrjeteve të trafikut të drogës në zonën e Napolit, bashkëpunim edhe me Policinë Shqiptare, ja rezultatet
Trafiku i drogës ku të përfshirë janë element kriminalë nga Italia dhe Shqipëria, vazhdon të mbetet një nga betejat më të forta mes policive të dy vendeve. Paraditen e djeshme Policia e Shtetit doli me deklaratë lidhur me operacionin antidrogë të zhvilluar në Itali. Operacioni u kodua “Smoke Snake” (Tymi i gjarprit) dhe u zhvillua gjatë orëve të para të mëngjesit në zonën e Napolit dhe Kazertas. Ky operacion ka bërë të mundur të shkatërrohet një organizatë kriminale italo-shqiptare dhe gjatë ditës së djeshme janë lëshuar 26 urdhër arreste nga Prokuroria e Napolit. Operacioni i koduar “Smoke Snake” është kryer nga Guardia di Finanza e Marcianise dhe ka filluar në qershor të vitit 2016. Policia bën me dije se, qysh me nisjen e hetimit të këtij grupi deri në finalizimin e operacionit ka pasur një shkëmbim në kohë reale informacionesh mes Policisë së Shtetit, Guardia di Finanza-s dhe Policisë Italiane nëpërmjet Zyrave Ndërlidhëse në Itali dhe Tiranë. Nga viti 2016 janë sekuestruar 38 kg marijuanë dhe 8 kilogramë heroinë si dhe 500 mijë euro pasuri, dy apartamente, një autoveturë, tre kompani, 65 llogari bankare 18.000 euro në kash. Gjatë orëve të para të mëngjesit janë ekzekutuar 21 urdhër arreste, për 21 persona, 18 italianë dhe 3 shqiptarë. Shtetasi shqiptar me iniciale L.C., 36 vjeç u arrestua dje gjatë operacionit, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar më parë në flagrancë po në kuadër të këtij operacioni. E.N., 26 vjeç ka qenë i arrestuar dhe iu bë njoftimi i urdhër arrestit në burg, si dhe E.Sh., 39 vjeç ka qenë i arrestuar dhe iu bë njoftimi i urdhër arrestit në burg. Gjatë operacionit është sekuestruar edhe një sasi heroinë, rreth 1 kg në Napoli. Po gjatë operacionit janë sekuestruar edhe asete të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale që kalojnë gjysmë milioni euro. Organizata kriminale operonte në fushën e drogave të forta kryesisht të tipit heroinë në zonën e Napolit dhe Kazertas. Operacioni është në vazhdim dhe për këtë arsye nuk jepen detaje të mëtejshme.
Sigal