Drogë dhe minë me sahat në shtëpi. Arrestohet një person në Elbasan, disa të tjerë në hetim

411
Sigal

Ka rënë në prangat e Policisë një person në banesën e të cilit janë sekuestruar 1 minë me telekomandë dhe 7 kg lëndë narkotike e dyshuar si kanabis.

Ngjarja ka ndodhur në Elbasan dhe sipas njoftimit të Policisë gjatë operacionit të koduar “Zaranika”, është arrestuar në flagrancë shtetasi me inicialet A.R.

Mendohet se në këtë ngjarje janë të implikuar edhe persona të tjerë ndaj të cilëve ka nisur një hetim për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Deklarata e plotë e Policisë:

Finalizohet operacioni “Zaranika”, sekuestrohen lëndë narkotike dhe minë me telekomandë, në pranga poseduesi i tyre

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e personave që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike apo lëndë plasëse, mbi bazën e informacioneve të  marra në rrugë operative, pas një hetimi me metoda speciale, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Zaranika”, ku u arrestua në flagrancë shtetasi A.R.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në qytetin e Elbasanit i kanë gjetur këtij shtetasi 1 minë me telekomandë, si dhe rreth 7 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.