Droga te ‘Myslym Shyri’/ Gjykata jep masën arrest me burg për dy prej të akuzuarve

454
Gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për Nikolin Merkon dhe Abdyl Musagaj, si dy prej të akuzuarve të zonës së “Myslym Shyrit” që dyshohet se kishin riaktivizuar linjën e trafikut të heroinës nga Turqia. Gjithashtu u vendos masa e detyrimit të paraqitjes për Tomorr Shqezin dhe Ervin Myftiun.
Njëri nga të arrestuarit, shtetasi Nikolin Merko, rezulton person me lidhje të forta në Turqi në çështjet e trafikut. Në vitin 2008 ai u arrestua bashkë me disa persona të tjerë me dy kilogramë heroinë në Tiranë, por me sa duket i kishte mbyllur problemet me drejtësinë. Ndërkohë, ky person, siç bën me dije policia, ka pasur edhe një precedent tjetër me drogat e forta në Turqi, ku është kapur me 9 kilogramë heroinë dhe është dënuar me pesë vite burg për këtë episod.

Edhe shtetasi Avdyl Musagaja, sipas policisë, rezulton i dënuar me burg në Itali për krime që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike. I arrestuari tjetër, shtetasi Fatjon Bahiti, sipas Policisë, është dënuar me 3 vite burg për trafikim kanabisi. Këto precedentë penalë të personave të arrestuar gjatë aksionit të koduar me emrin “BBM” janë bërë shkak për dyshimet e hetuesve se lënda narkotike e kapur tri ditë më parë ka ardhur në Tiranë, pikërisht përmes njohjeve të vjetra të pesë të arrestuarve.

Dyshimet e policisë janë se droga e llojit heroinë ka mbërritur nga Turqia nëpërmjet furnitorit Nikolin Merko. Ky i fundit mendohet se ka pasur rolin e personit që mbante kontaktet dhe që siguronte lëndën narkotike, e cila besohet se do të shpërndahej në Tiranë.

Grupi kriminal, sipas Policisë, ka qenë mjaft agresiv, pasi edhe në momentin e ndërhyrjes për kapjen e të dyshuarve pesë personat nuk iu bindën policisë dhe madje tentuan të largoheshin, duke aksidentuar disa automjete në Tiranë. Gjatë aksionit, për shkak të reagimit të pesë personave të dyshuar dhe tentativës së tyre për t’u arratisur, policia u detyrua të qëllonte në ajër 4-5 herë në shenjë paralajmërimi, teksa zhvillohej aksioni në zonën e rrugës “Myslym Shyri” në kryeqytet.
Sigal