Droga shqiptare ‘pushton’ Italinë, sekuestrohen 2 ton, katër në pranga

445
Sigal

Origjina e Shqipëria, u trafikua në rrugë detare. Vlera 2.5 milionë euro

Droga shqiptare ‘pushton’ përsëri bregun e shtetit fqinj, Italisë. Një sasi e madhe droge, që siç pohohet zyrtarisht rreth 2 ton e 200 kg, në vlerën e 2.5 milionë eurove, konfirmohet se është nisur nga Shqipëria. Mësohet se në pranga të policisë italiane kanë rënë 4 shqiptarë dhe një vajzë italiane. Me gjithë operacionet antidrogë të  policisë shqiptare, trafiku ndërkombëtar i saj, me pikënisje Shqipërinë, vazhdon të mbetet shqetësuese për vendet fqinj…

OPERACIONI
Një operacion antidrogë në Itali ka rezultuar me sekuestrimin dje të mbi 2 ton marijuanë dhe arrestimin e 4 shqiptarëve dhe një gruaje italiane. Agjencitë e lajmeve italiane bëjnë me dije se forcat e policore të ndërhyrjes së shpejtë në Prato, në bashkëpunim me skuadrën ajrore të Romës dhe policinë antitrafik kanë finalizuar me sukses një superoperacion antidrogë, duke bërë të mundur sekuestrimin e 2.2 ton marijuanë si dhe arrestimin e 5 personave, mes tyre katër shqiptarë dhe një grua italiane.  Droga prej 2 ton e 200 kg marijuanë nëse do të hidhej në treg sipas policisë do të kapte vlerën e 2.5 mln eurove.
Në pranga kanë rënë shqiptarët Geri Rucaj 34 vjeç, Shefqet Cenaj 35 vjeç, Admir Musara 37 vjeç , Luisen Mamo 23 vjeç si dhe një grua italiane Giuseppina Di Marzio 42 vjeç. Të pestë personat konsiderohen si korrierë të kësaj sasie të madhe droge. Droga u kap pikërisht në Puglia, në një plazh bosh pranë grykëderdhjes së lumit Ofanto ku u pikas gomonia me marijuanë që vinte nga Shqipëria.
POLICIA ITALIANE
Sipas policisë italiane, katër shqiptarët kishin hyrë në Itali me një vizë turistike të rregullt. Policia ka ngritur ndaj shqiptarëve dhe gruas italiane akuzën e trafikimit të drogës, por edhe të armëve dhe municioneve, pasi në gomonen me të cilin po udhëtonin u është gjetur veç drogës dhe një sasi prej 537 copë fishekësh automatiku.  Mësohet se operacioni policor është realizuar në disa faza përgjatë mëngjesit të së premtes dhe mbrëmjes së të shtunës.  Hetimet kishin nisur disa muaj më parë, kur policia ishte vënë në ndjekje të disa të dyshuarve maroken të cilët frekuentonin një bar në Prato, i cili frekuentohej edhe nga Mamo, më i riu i shqiptarëve të arrestuar.