Droga në Kavajë, dëshmia e të riut në gjyq: Isha në drekë me miqtë e mi, ngatërrova rrugën në Synej

Roland Hysenbelliu dhe Joni Sadikaj do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve për drogën e kapur në Kavajë. Gjykata e Krimeve të Rënda dha sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Hysenbelliun dhe Sadikajn, ndërsa pritet masa edhe për Kejvi Hajdarin.

Në seancën e sotme Sadikaj ka mohuar të ketë lidhje me drogën, duke u shprehur se kishte ngatërruar rrugën për në Synej.

“Ngatërrova rrugën në Synej pastaj pyetëm policinë. Unë nuk kam lidhje me drogën, isha në drekë me miqtë e mi”, ka deklaruar Sadikaj.

1.3 ton drogë, u kap katër ditë më parë në Kavajë teksa transportohej drejt plazhit të Gjeneralit për t’u nisur për trafikim në Itali, ndërsa dyshohet se kanabisi kishte ardhur ga zonat e Tepelenës.

Mbrëmjen e së enjtes Policia e Kavajës zbuloi dy mjete, një furgon dhe një fuoristradë “Land Rover”, një sasi prej 1350 kg lëndë narkotikë. Personat që gjendeshin në këto dy mjete janë larguar me shpejtësi.

Por në vijim u shoqëruan në Komisariat 3 të rinj, të cilët gjendeshin në një veturë tip “SAAB”, pranë vendit ku u gjend lënda narkotike. Këta shtetas u identifikuan si Kejvi Hajdari, Roland Hysenbelliu dhe Joni Sadikaj.

Grupi hetimor sekuestroi edhe dy automjete të tjera, njëra veturë Toyota dhe tjetra kamionçinë, si edhe shumë pranë bregut të detit, një skaf me dy motorë, i lidhur me një zetor që shërbente për tërheqjen e tij.

Sipas hetimeve të prokurorisë Kejvi Hajdari, Joni Sadikaj dhe Roland Hysenbelliu kanë deklaruar se janë nisur nga Tepelena me mjetin tip “Saab”, të drejtuar nga Kejvi Hajdari, për t’u ulur për drekë në Kavajë. Pasi kanë përfunduar drekën, në mbrëmje vonë janë nisur për t’u kthyer, por kanë humbur rrugën në zonat rurale të Kavajës.

Ata kanë konstatuar një patrullë policore, të cilët e kanë pyetur për rrugën, por në këtë moment, ata janë shoqëruar nga ana e Policisë. Ata mohojnë përfshirjen në trafikun e narkotikëve. Por, në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se për shtetasit Kejvi Hajdari- ai deklaron se ka qenë nën drejtimin e mjetit Saab, por rezulton se ai ka përdorur gjatë ditës së enjte edhe kamionçinën, e sekuestruar tashmë, e cila gjendej e mbyllur pranë një karburanti në Kavajë.

Po kështu, për shtetasin Roland Hysenbelliuai deklaron se ka qenë pasagjer në mjetin e drejtuar nga Kejvi Hajdari dhe ishin për drekë shoqërore në Kavajë. Ndërkohë, në Kavajë është gjetur një tjetër mjet i mbyllur, “Toyota” i cili rezulton të jetë blerë nga një familjar i tij rreth dy muaj më parë në Tepelenë.

Pas ndalimit të tre personave të mësipërm, Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ndalimin edhe të shtetasve: Aristotel Kasaj dhe Arvis Muçaj. Ata rezultojnë të kenë lidhje me pronësinë e mjetit tip fuoristradë, në të cilën u gjend rreth 350 kg lëndë narkotike.