Droga në Divjakë, shtyhet në 1 korrik seanca për Riformaton

56
Shtetasi italian, Giorgio Riformato dhe 4 bashkëpunëtorë te tij të akuzuar për trafik droge janë paraqitur sot për herë të parë para trupës gjyqësore, por seanca e planifikuar është shtyrë për në datën 1 korrik. Shkak është bërë një gabim në prokurë i njërit prej avokatëve të të pandehurve, i cili nuk kishte shënuar datën dhe orën e saktë për përfaqësimin e klientit të tij.
Piloti italian Riformato drejtonte avionin me 300 kg kanabis, i cili u rrëzua në plazhin e Divjakës më 10 maj të vitit të kaluar. Së bashku me të për gjykim janë dërguar edhe shtetasit Sajmir Bajrami, Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe dhe në mungesë shtetasit Mareglen Ymeraj, Kristian Demçe dhe Orgest Bilbili.
Në bazë të hetimit, ka rezultuar se shtetasit Sajmir Bajrami dhe Giorgio Riformato kanë hyrë nga Italia në Shqipëri pak ditë para ngjarjes dhe, nëpërmjet të pandehurve të tjerë, dyshohet se kanë siguruar lëndën narkotike, të cilat do ta trafikonin drejt Italisë nëpërmjet një avioni sportiv, të drejtuar nga piloti italian.
Avioni i drejtuar nga shtetasi Riformato është gjetur i ulur në zonën e plazhit të Divjakës, me një rrotë të thyer, në pamundësi për t’u ngritur. Pranë avionit, nga ana e forcave të policisë janë gjetur disa çanta, në përbërje të të cilave sipas ekspertizës së mëvonshme, rezultonte se ishin 94 kilogramë lëndë narkotike canabis sattiva. Nga ekspertiza e kryer mbi lëndën e gjetur në këto çanta rezultoi se ishte lëndë narkotike canabis, me peshë 211.8 kg.