Kryebashkiaku Vangjush Dako, fsheh pas zyrave të bashkisë trafikantin e drogës dhe pjesëmarrës në organizata kriminale
Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, ndalon për llogari të drejtësisë italiane arkitektin e Bashkisë së Durrësit shtetasin Adlei Beniamin Likmeta, 35 vjeç banues në qytetin e Durrësit. 35- vjeçari është shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 18.09.2013, pasi ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti nga autoritetet italiane të drejtësisë. Gjykata e Apelit Ankona Itali, me vendim penal të datës 31.10.2010 e ka dënuar me 9 vjet, 3 muaj e 14 ditë burg për veprën penale “Trafik lëndësh narkotike, trafik të qenieve njerëzore dhe pjesëmarrje në organizata kriminale”. Materialet e rastit iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës. Raportohet, se arrestimi i Likmetës është kryer në zyrat e Bashkisë së Durrësit, ku arkitekti ishte paraqitur si çdo ditë për të nisur punën. Burime nga Policia bëjnë të ditur se, në momentin e ndalimit, 35-vjeçari nuk ka bërë rezistencë. Sipas policisë, Likmeta ka qenë pjesë e një grupi shqiptarësh që trafikonin klandestinë me anije nga Durrësi drejt Italisë. Shefja e personelit në Bashkinë e Durrësit, Drita Zeneli bëri të ditur se, arkitekti Adlei Likmeta ka nisur punë në 3 gusht të vitit 2009. Sipas saj, Likmeta përmbushte të gjitha kushtet për pozicionin e punës, dhe nuk rezultonte as i dënuar dhe as person me precedent penal. Zeneli deklaron se: “Zoti Adlei Likmeta është punonjës i Bashkisë Durrës dhe që prej datës 3/08/2009 ai mban detyrën e specialistit në sektorin e studim-projektimit dhe kontrollit teknik pranë departamentit urbanistik. Për mua punonjësi i Bashkisë Durrës është i pastër, sepse në dosjen e shërbimeve njerëzore është dëshmia e penalitetit. Nga verifikimet që iu bënë shënimeve në regjistrin gjyqësor rezulton se shtetasi Adlei Likmeta rezulton i padënuar”. Bazuar në deklaratën e saj, mund të shtojmë që vërtet shtetasi Adlei Likmeta, ka pasur në dosjen e shërbimeve njerëzore dëshminë e penalitetit, mirëpo duhej bërë edhe një verifikim rreth veprimtarisë së tij, jashtë kufijve të shtetit shqiptar, ku ai ka jetuar. Përpara se të firmosej marrja në punë nga Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, drejtoria e personelit dhe vetë Kryebashkiaku duhej t’i kërkonin Interpol Tiranës të dhënat në lidhje me aktivitetin e tij jashtë vendit. Nuk është hera e parë që trafikantë që kanë problem me drejtësinë e vendeve europiane dhe ato përtej Atlantikut punësohen kundrejt bakshisheve të majme. Ky rast nuk e përjashton nga përgjegjësia bashkinë, kreun e saj dhe nëpunësit e kuadrit. Kryebashkiaku Dako duhet të pyetet nga Krimi Ekonomik, Antidroga, Prokuroria dhe Interpoli për lidhjet dhe deri ku ka konsistuar bashkëpunimi me trafikantin e dënuar nga drejtësia Italiane. Është në nderin e vetë zotit Dako që të të vihet para drejtësisë deri në përfundim të hetimeve rreth kësaj ngjarje nga më të rëndat në 20 vitet e fundit. Ky rast tregon se jo vetëm administrata qendrore e djathtë, por edhe ajo lokale ka në radhët e saj ka njerëz të implikuar në trafikun e drogës dhe që fshihen pas kostumit të pushtetit …