Drejtësia e munguar dhe të vrarët e 21 Janarit

508
Sigal

Ngjarja e javës/ Vendimi i Gjykatës së Tiranës për vrasjen e 4 demonstruesve hasi kundërshtime të shumta vendase dhe ndërkombëtare

 Gjykata e Tiranës, seksioni i krimeve të rënda shpalli më datë 7 të pafajshëm ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi, shoferin e tij Margarit Kume si dhe gardistin Agim Llupo, të cilët akuzoheshin për vrasjen e 4 demonstruesve, gjatë protestës së 21 Janarit 2011. Gjyqtari i çështjes Besnik Hoxha rrëzoi akuzën e Prokurorisë për vrasje me dashje në rrethana cilësuese. Teksa lexoi vendimin për të akuzuarit, gjyqtari Hoxha kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-gardistit Agim Llupo si dhe heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi. “Gjatë hetimeve nuk është provuar që dy të pandehurit kanë realizuar këtë vepër penale me dashje, por kanë qenë në zbatim të ligjit për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë”, theksoi Hoxha. Po ashtu, Hoxha në vendimin e marrë ishte bazuar në një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Strasburgut për një rast të ngjashëm në Itali. Avokati i Ndrea Prendit komentoi për mediat se vendimi nuk lë vend për asnjë koment. Ai shtoi se klienti i tij do të kërkojë dëmshpërblim për kohën e kaluar në paraburgim. Në prononcimin për mediat, avokati Genc Gjokataj e cilësoi vendimin e gjykatës si të drejtë, pasi sipas tij, komandanti i gardës Ndrea Prendi ashtu edhe gardisti Agim Llupo ishin në mbrojtje të institucioneve.

Të pandehurit kryesore te kësaj çështje ishin ish komandanti i gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, të akuzuar për vrasjen e 4 demonstruesve, gjatë protestës së 21 Janarit 2011. Prokuroria kërkoi kërkoi 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues. Ky poçes gjyqësor i nisur dy vjet më parë shkoi drejt mbylljes së tij në Gjykatën e Shkallës së Parë, ndërsa mbeten me ende pa autor vrasjet e katër demonstruesve, Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda e Aleks Nikaj.

 Ambasada e SHBA-ve në Tiranë: Verdikti ka minuar besimin në sistemin gjyqësor

“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur, që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve. Menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë. Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”, thuhej në deklaratën e SHBA.

 KE: SISTEMI GJYQËSOR I PAVARUR, KUSHT PËR INTEGRIMI

Komisioni Europian reagoi gjithashtu për vendimin e Gjykatës së Tiranës për të lënë të lirë personat që akuzoheshin për vrasjet e 21 janarit. Komisioni shprehet se është i vetëdijshëm për vendimin e Gjykatës së Tiranës. Komisioni Europian bëri të ditur se ky organizëm kërkoi zbardhjen e ngjarjes në progres-raportin për Shqipërinë duke kërkuar një proces të besueshëm gjyqësor. Komisioni Europian thekson se verdikti i sotëm është subjekt për apelim dhe se çdo polarizim i kësaj çështjeje duhet të shmanget. Komisioni Europian bën të ditur në fund te reagimit se një sistem gjyqësor i pavarur, i aftë për të realizuar gjyqe të ndershme për qytetarët është kusht paraprak për integrimin në Bashkimin Europian.