Dosja “Frroku”, tritol në makinë dëshmitarit të mbrojtur Vladi

535
Sigal

TIRANE- Dy javë pasi policia çaktivizoi nga automjeti tip “Volkswagen” me targa AA 750 GT lëndën plasëse eksploziv C4, zbardhen detajet e ngjarjes e cila tashmë është regjistruar si atentat i mbetur në tentativë ndaj dëshmitarit të mbrojtur në procesin gjyqësor ndaj biznesmenit Arben Frroku.
 
Automjeti me targë AA 750 GT rezulton në pronësi të shtetasit Fatmir Vladi, ky i fundit i njohur dhe si Arben Ndoka në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin Frroku.
Kjo ngjarje ka alarmuar Policinë e shtetit, pasi Fatmir Vladi është në cilësinë e personit të mbrojtur pasi ka pranuar të dëshmojë e bashkëpunojë me drejtësinë për zbardhjen e vrasjes së ish-kryepolicit Dritan Lamaj.
 
Pak ditë më parë ishte vetë Arben Frroku i cili bëri publik për mediat emrin e dëshmitarit të mbrojtur Fatmir Vladi, duke deklaruar se e njihte dëshmitarin dhe ai s’ka asnjë dijeni për ngjarjen por keqpërdoret nga Prokuroria.
 
Kjo deklaratë e Frrokut u bë pak ditë pasi policia zbuloi lëndën plasëse nën automjetin e Vladit, për të cilin policia aktualisht thotë se ka përforcuar masat e sigurisë ndaj tij.
 
Pritet që të mërkurën më datë 1 tetor të zhvillohet seanca e 24-t në procesin ndaj të dyshuarit të drejtësisë Arben Frroku për vrasjen e Lamajt, teksa ende nuk dihet nëse do të dëshmojë apo jo në këtë proces Fatmir Vladi.
 
Prej kohësh Prokuroria ka deklaruar se ka siguruar dëshminë e Vladit njohur në proces me emrin Arben Ndoka, teksa nuk dihet sa do të ndikojnë zhvillimet e fundit në këtë proces i cili në 8 seancat e fundit kryhet në masa të rrepta sigurie pa praninë e kamerave dhe gazetarëve.

Policia e Shtetit e përgënjeshtron: S’është e vërtetë
Ndërsa me anë të një njoftimi reagon Policia e Shtetit, duke thënë se pretendimi pёr vendosjen e njё sasie eksplozivi nё mjetin e njё personi tё marrё nё mbrojtje nga policia, nuk ёshtё i vёrtetё. Por në reagimin e Policisë nuk sqarohen detajet në lidhje me rastin e 15 shtatorit, çfarë u gjet në automjet dhe në pronësi të kujt është ai.