Sigal

Astrit Hani, i mbijetuari i masakrës në Mat, ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen, ku u vranë 3 persona.

Hani mori dy plumba nga breshëria e automatikut të Kujtim Koxhës. Ai ka deklaruar se mes autorit dhe viktimës, Erzen Aliaj, kishte pasur një debat rreth gjysmë orë para ngjarjes.

Dëshmia e Hanit në Prokurori

“Parkuam mjetet pranë lokalit të Qazim Karrosit dhe para se të hanim drekë po riparonim një defekt. Kujtim Koxha u afrua aty dhe pyeti Erzen Aliajn se çfarë ka makina. Erzeni i tha se po rregullonim një defekt. Koxha pastaj shfryu: “Në djall ti dhe makina”.

Erzeni dhe ai debatuan mes tyre dhe janë shtyrë me duar, por ndërhyra unë dhe u ndanë. Ndërsa largohej, Kujtimi tha: Do më shikoni mirë nëse vini më këtu.

Pas debatit, jemi futur në lokal për të drekuar. Jemi ulur në dy tavolina, ishim 9 veta. Vetëm pak minuta pasi kemi filluar të hamë, rreth gjysmë ore pas debatit, ka ardhur te dera e lokalit Kujtim Koxha.

Ai bërtiti me të madhe: ‘Do ju bëj gjëmën’ dhe qëlloi me breshëri. Në tavolinë me ne ishte dhe përgjegjësi i Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale, P. Demiri, si dhe kolegë të tjerë. Pasi u largua Kujtim Koxha kanë ardhur banorët e fshatit dhe kanë transportuar të plagosurit drejt spitalit”.