Dita e dytë e luftës në Lazarat, plagosen një polic dhe një qytetar

403
Sigal

Policia zbulon laborator droge, mbi 80 vetë të shpallur në kërkim. Ndërkombëtarët mbështesin operacionin. Qeveria: S’ka kthim prapa!

I gdhirë në shtetrrethim nga 800 forca të FNSH e RENEA në Lazarat ka kaluar një natë lufte me krisma e panik tek banorët. Mësohet se, në këtë operacion marrin pjesë forca të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forca speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, si dhe të Delta Forcë në Vlorë. Po ashtu në këtë operacion janë përfshirë dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj.. Këto forca janë të mbështetura nga mjete të posaçme. Konfirmohet se rreth orës 02:00 të natës ka mbetur i plagosur punonjësi i policisë S. M, 32 vjeç, i Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, i cili ishte i dislokuar me shërbim gjatë natës. Ndërsa gjatë orëve në vazhdim, është plagosur dhe një qytetar tjetër nga Pogradeci. Ja kronologjia e ditës së dytë…

800 forca të FNSH e RENEA në Lazarat  Përmes një njoftimi për shtyp mësohet se janë rreth 800 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, si dhe të Delta Forcë në Vlorë. Po ashtu në këtë operacion janë përfshirë dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj.. Këto forca janë të mbështetura nga mjete të posaçme

Ora 11:10:-Lazarati vazhdon të jetë i rrethuar me forca të shumta policie dhe të FNSH. Dëgjohen krisma arme nga fshati në drejtim të periferisë.

Ora 10:36- Furgonët e blinduara dhe makinat e policisë përparojnë brenda në fshat nga ku vijnë edhe të shtënat me armë…

Ora 10:50- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi deklaron se operacioni i nisur për asgjësimin e parcelave me kanabis po kalon në një operacion kundër një grupi kriminelësh që ka mbajtur peng fshatin.

“Harta në Lazarat e kultivimit është shumë e gjerë. Dje janë asgjësuar 11 mijë rrënjë kanabis. Vetë banorët kanë asgjësuar bimët që kanë qenë gati për t’u mbjellë. Mund të jetë asgjësuar dhe një pjesë e kanabisit të një viti më parë të ruajtur… Kemi nisur këtë operacion, i cili mund të vazhdojë në varësi të situatës. Policia do ta mbyllë me sukses dhe pa viktima. Policia është e detyruar nga ligji të luftojë krimin dhe për këtë policët janë të vetëdijshëm për sakrificat dhe ne i kemi dalë për zot kësaj pune dhe kemi të drejtë”,- pohoi Didi.

Ora 11:21- Ministria e Brendshme përmes një njoftimi për shtyp i bën thirrje banorëve të Lazaratit të distancohen nga elementët kriminalë dhe të mos dalin nga banesat për arsye të sigurisë së jetës dhe shëndetit të tyre. “Të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë. Banorët e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor. Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo kohë, të gjithë qytetarëve që do të kenë nevojë”, thuhet në njoftim.

Ora 11:30:- Ka të shtëna me mitraloz në të dyja anët e fshatit. Situata është shumë e tensionuar.

Ora 12:30:-Policia sqaron banorët se nuk janë plumbat e policisë, por të grupit të armatosur. “Policia e Shtetit kupton shqetësimin e banorëve të Lazaratit dhe sqaron banorët se nuk janë plumbat e policisë që po bien mbi Lazarat, por plumbat e grupit të armatosur që po vepron brenda Lazaratit, plumba të atij grupi që plagosën avokatin para dy ditësh, që plagosën punonjësin e Policisë së Shtetit duke u gdhirë dita e sotme, janë po ato plumba që kanë shqetësuar fshatrat për rreth dhe lagjen “Zinxhira” e që kanë vështirësuar lëvizjen në aksin rrugor. I bëjmë me dije Kryetarit të Komunës se shqetësimi vjen nga ky grup i armatosur, grup për të cilin kreu i komunës nuk ka thënë asnjë fjalë deri në këto momente dhe që vepron brenda në fshatin Lazarat.

Ora 12:20:- Policia informon se nga banesa e Erik e Gurgaz Skënderi dhe Bajo Skëndulit po qëllohet në drejtim të policisë e kanë grumbulluar shumë armatim. Policia ka lokalizuar vendin dhe është duke vepruar.

Ora 12:39:-Aliko me Tahirin takohen në Gjirokastër. Kreu i Komunës Lazarat, Dasho Aliko mbërrin në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër në bashkëbisedimin me ministrin Tahiri. Në takim me ministrin Tahiri edhe kreu i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime, prefektja Zamira Rami dhe kreu i policisë.

Ora 13:26- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaron se janë të vendosur  për t’i shkuar deri në fund operacionit. Në takimin që zhvillohet në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës ndodhet Kryetari i Komunës së Lazaratit Dasho Aliko, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, prokurori i rrethit dhe prefektja.

Ora 15:00:- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaron pas takimit se ora e kriminelëve në Lazarat dhe ata që kanë marrë armën kundër Policisë së Shtetit ka ardhur. “Ora me lidhjet e botës së krimit në Lazarat me parlamentin e policinë kanë mbaruar gjithmonë. Jemi të bindur që Policia e Shtetit do të bëjë detyrën pavarësisht se kjo zonë është konsideruar se nuk mund të veprojë policia. Të jenë të bindur se ata që kanë ngritur armët kundër policisë u ka ardhur ora. U kërkoj mirëkuptimin të jini në krah të Policisë së Shtetit. Jam këtu për të mbështetur ato bij nënash që po sakrifikojnë për të gjithë ne për të vendosur shtetin ligjor. Ora e kriminelëve në Lazarat dhe ata që kanë marrë armën kundër Policisë së Shtetit ka ardhur. Operacioni përfundon kur çdo metër katror i Lazaratit të ketë ligjin e shtetit. Ne po tregojmë qytetarëve që ligji vlen për të gjithë. Integrimi europian është lufta kundër krimit dhe trafiqeve”, -tha Tahiri.

Ora 16:00 – Policia njofton plagosjen e një bariu. “Rreth orës 16:00 nga të shtënat e grupit kriminal në brendësi të fshatit Lazarat, ka mbetur i plagosur në dorë dhe në këmbë shtetasi D. R., vjeç 19, nga Ura-Vajgurore, bari. Ky shtetas ka marrë mjekimin e nevojshëm pranë spitalit të Gjirokastrës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia po heton për rrethanat”.

Ora 16:40 -Policia kontrollon 20 shtëpi, ku sipas informacionit të dhënë prej saj, ka gjetur sasi të konsiderueshme bimësh të kultivuara, boçe kanabisi, makineri për presimin e kanabisit si dhe municione në sasi të mëdha.

Ora 17:50 – Policia njofton për një tjetër të plagosur. “Rreth orës 17:30 nga të shtënat e grupit kriminal në brendësi të fshatit Lazarat, ka mbetur i plagosur në bark një 20 vjeçar, nga Pogradeci. Ky shtetas aktualisht po merr ndihmën e nevojshme pranë spitalit të Gjirokastrës dhe është jashtë rrezikut për jetën”,- thuhet në komunikatën zyrtare.

Ora 19:00- Policia dhe forcat speciale kanë zbuluar gjatë avancimit të kontrollit në shtëpitë e Lazaratit, edhe një laborator, ku përpunohej lënda narkotike në një prej shtëpive të Gate Mahmutaj.

Ora 19:30- Banorët djegin parcelat me kanabis. Policia ka depërtuar deri në zonën e ish-pularisë, rreth 1 km larg qendrës së fshatit, çka ka nxitur banorët që me afrimin e saj, të nisin djegien e parcelave me kanabis. Që në çastin e parë u ndezën 8 vatra zjarri.

Reagimet e zyrtarëve shqiptarë për ndërhyrje në Lazarat

 Petrit Vasili: Aksion i mirëpritur dhe i kërkuar prej kohësh nga të gjithë

 Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka përshëndetur aksionin e ndërmarrë nga Policia e Shtetit në Lazarat. Në një deklaratë për mediat, Vasili tha se, kjo është prova më e qartë dhe e munguar prej kohësh se qeveria jep për kontrollin e çdo pjese të territorit. Vasili theksoi se, ky aksion është i mirëpritur dhe i kërkuar prej kohësh nga ndërkombëtarët, po ashtu edhe nga qytetarët., ndërsa shtoi se edhe policia po dëshmon se është e qytetarëve. Vasili apeloi që kriminelët të dorëzohen ndërsa qytetarët të distancohen prej tyre. “Është ndoshta prova e munguar prej kohësh që qeveria jep për kontrollin e çdo pjese të territorit të vendit. Është një aksion i përshëndetur dhe i pritur edhe nga ndërkombëtarët, që rendi dhe ligji të veprojë, ky aksion ka mbështetjen e të gjithë shqiptarëve që shikojnë se policia është ajo përballet me krimin, në mënyrë që në këtë vend të sundojë demokracia përmes ligjit jo përmes krimit të organizuar”,- tha Vasili. Prandaj, -vijoi deputeti i LSI-së, “këtë herë, jo vetëm ne, por e tërë politika shqiptare duhet të jetë e rreshtuar në krah të policisë së shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë pritur për këtë polici që sakrifikohet në emër të qytetarëve”.

Flamur Noka: Mbështes policinë, Tahiri bën shou në Lazarat

 Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar të martën në një prononcim për mediat, se mbështet Policinë e Shtetit por jo aksionin e ndërmarrë në Lazarat, të cilin e ka konsideruar si një “shou” të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Noka, duke folur për mediat tha se  “Ky nuk është një aksion, ku të gjithë elementët tregojnë se është një shou i ministrit Tahiri. Nuk është thjesht çështja e Lazaratit, sepse këta kanë shndërruar të gjithë Shqipërinë në Lazarat. Jeta e çdo qytetari, jeta e çdo polici është e shenjtë, prandaj kjo nuk është zgjidhja. Unë mbështes aksionin e policisë, por nuk mbështesë aktet banditeske të ministrit Tahiri”.

 Reagim i PD për ngjarjet në Lazarat

 Partia Demokratike, nëpërmjet një deklarate për shtyp, shprehu mbështetjen e çdo vendimi dhe aksion kundër narko-trafikut”. Ne mbështesim forcat e policisë në aksionet e tyre, sikundër u bëjmë thirrje qytetarëve të distancohen nga elementët me precedentë kriminalë. Çdo sulm ndaj policisë është goditje ndaj shtetit, thuhet në deklaratë “Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë luftën kundër trafikut, por ne i bëjmë thirrje profesionistëve të mbetur në polici të ruajnë jetët e qytetarëve dhe punonjësve të rendit dhe të ndalin çdo veprim që ushtron terror psikologjik ndaj popullatës civile””, thuhet në deklaratën e selisë blu. PD shprehet se “pseudo-fushata e Ramës dhe Tahirit, është një pozicionim taktik  për t’ia hedhim botës me karakter propagandistik dhe selektiv. Narkotrafikantët e punësuar në zyrat e shtetit  nuk mund ta luftojnë drogën. Ata mund të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, por kjo nuk është luftë ndaj drogës, por luftë për kapjen e tregut. Droga nuk luftohet nga përdoruesit dhe trafikantët, por nga aleanca e njerëzve të ndershëm.

  Edi Rama ironizon opozitën: Ku ka humbur “Aleanca Opozitare kundër Drogës” sot?!

 Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka ironizuar opozitën duke u shprehur se nuk ka reaguar fare ndaj aksionit të Policisë së Shtetit në Lazarat. “Ku ka humbur “Aleanca Opozitare kundër Drogës” sot?!Po për dhunën e armatosur ndaj gazetarëve të A1Report në Lazarat s’ka marrë vesh gjë PD?!”,- shkruan Kryeministri Rama në “Facebook”.

Igli Totozani: Të vendosim nën kontroll çdo cep të territorit dhe të luftojmë pa kompromis kundër trafikut të drogës!

 Avokati i Popullit përshëndet dhe mbështet  aksionin e nisur nga policia e shtetit në komunën e Lazaratit për vendosjen nën kontroll të çdo cep të territorit dhe luftën pa kompromis kundër trafikut të drogës. Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për situatën e krijuar ku forcat e policisë po përballen me zjarrin e armëve të individëve të kriminalizuar që ka sjellë plagosjen e një efektivi të policisë dhe i uron shërim sa më të shpejtë. Avokati i Popullit dënon me vendosmërinë më të madhe çdo sulm ndaj Policisë së Shtetit. Në vazhdën e ngjarjeve të orëve të fundit Avokati i Popullit dënon sulmin kundër gazetarit dhe pronës së një televizioni privat  në Lazarat ndërsa media po kryente detyrën e saj në funksion të informimit të publikut. Ai kërkon nga forcat e policisë kapjen dhe vënien para drejtësisë së përgjegjësve  të këtij sulmi ndaj medias.  Në këtë aspekt Avokati i Popullit vlerëson maksimalisht punën e të gjitha mediave për të informuar dhe paraqitur me vërtetësi situatën e krijuar në terren duke vënë në rrezik madje dhe jetën e tyre. Avokati i Popullit i kërkon çdo banori të Lazaratit dhe zonave përreth që të bashkëpunojnë ngushtësisht me Policinë e Shtetit dhe t’ju përgjigjen thirrjeve të saj, duke u distancuar gjithashtu nga elementët kriminal. Avokati i Popullit fton gjithashtu autoritetet shtetërore dhe organet ligjzbatuese që në çdo moment apo fazë të zhvillimit të këtij operacioni të kërkojnë dhe të shterojnë çdo mundësi dhe çdo rrugë të mundshme për zgjidhje paqësore dhe ruajtjen e jetëve njerëzore. Nga ana tjetër Institucioni i Avokati të Popullit i bën thirrje individëve që ushtrojnë aktivitet kriminal në Lazarat që të ulin armët, t’i dorëzohen policisë, duke iu  nënshtruar zbatimit të ligjit. Një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit po ndjek situatën në çdo  moment.

PDIU: Qeveria të zgjidhë problemin, jo përmes masave represive

 PDIU bën thirrje që qeveria të zgjidhë problemin e Lazaratit, jo vetëm nëpërmjet masave represive, por nëpërmjet krijimit të një perspektive ekonomike të qëndrueshme. Partia Drejtësi për Integrim dhe Unitet, përmes një deklarate ka përshëndetur veprimin profesional të policisë Lazarat, ndërsa i bën thirrje qeverisë të zgjidhë problemin këtu jo vetëm përmes masave represive por përmes krijimit të një perspektive ekonomike të qëndrueshme. “Ne e mbështesim fuqimisht këtë aksion shumë profesional, që ka ditur të diferencojë me veprimin e vet një grup njerëzish me të kaluar dhe të sotme kriminale që mbajnë peng këtë fshat të lavdishëm në histori. Ne e dimë që ky është një aksion i vështirë që do të marrë kohë, dhe ne i japim organeve të policisë gjithë mbështetjen që i duhet në misionin e saj. PDIU është e ndërgjegjshme që problemi i Lazaratit nuk është krijuar sot dhe në pak kohë. Ai nuk është pasojë e ndonjë predispozite të caktuar të banorëve për t’u marrë me veprimtari të paligjshme. Përkundrazi, gjendja e Lazaratit është mungesë e perspektivës ekonomike të zhvillimit, nga gjithë qeveritë e ndryshme të pluralizmit shqiptar”,-thuhet në deklaratën e PDIU-së. Më tej PDIU ka theksuar se duhet të ofrohet një alternativë dinjitoze nga ana e qeverisë, në lidhje me Lazaratin. “Ndaj ne kërkojmë që qeveria e sotme për Lazaratin, për gjithë rajonin dhe për gjithë Shqipërinë, edhe në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë, të ofrojë një alternativë dinjitoze dhe të ligjshme jetese, që ndërtohet nëpërmjet punës dhe zhvillimit ekonomik.