Digjet për herë të dytë biznesi i tapetëve të sirianit, 6 të lënduar

528
TIRANE – Prej më shumë se tre orësh një zjarr i fuqishëm përfshiu magazinën e një biznesi tapetësh në kilometrin e katërtë të autostradës Tiranë-Durrës. Flakët u përhapën me shpejtësi dhe intensitet të lartë për shkak të mallrave që ndodheshin në magazinë (tapetë, sixhade, perde e metrazhe).
Gjashtë persona mbetën të lënduar si pasojë e asfiksisë dhe e djegieve të lehta, mes tyre dy punonjës që ndodheshin në magazinë, vjehrra e një prej punonjëseve e cila shkoi në magazinë kur mësoi për zjarrin, si dhe tre punonjës të forcave zjarrfikëse. Të lënduarit u dërguan për ndihmë mjekësore në spital ku mësohet se janë jashtë çdo rreziku për jetën.
Nuk është hera e parë që biznesi i tapetëve “Bibtex” në pronësi të sirianit M.Raghed Hajjazi përfshihet nga flakët. Bashkëshortja e tij tha se më herët është djegur edhe dyqani i tapetëve në zonën e Laprakës.
Policia evakuoi të gjithë punonjësit që ndodheshin në magazinë si dhe nisi hetimet per te zbuluar shkaqet e renies se zjarrit.
Bibtex operon prej 14 vjetësh në Shqipëri në shitjen e tapetëve të sjellë nga jashtë.
Sigal

Ora 12:15 Zjarri vihet nën kontroll

Pas rreth tre orësh flakët e zjarrit në magazinën e tapetëve janë vënë nën kontroll. Tymi vijon të clirohet si pasojë e djegies së ndërtetesës me të gjithë mallrat që kishte në brendësi, por flakët e zjarrit nuk janë më prezente, ose me intensitet shumë të ulur nga fuqia që u përhapën fillimisht.

Ora 11:55 Shefi i zjarfikësve: Izoluam zjarrin, flakët u përhapën vetëm në katin e dytë

Shefi i Zjarrfikësve të Tiranës Shkëqim Goxhaj në një prononcim për A1 Report tha se zjarri është lokalizuar vetëm në katin e dytë të ndërtesës, dhe se kati i parë i magazinës nuk është prekur nga flakët. Sipas tij, rreth 50 zjarrfikës. Në dukje dëmet janë të konsiderueshme thotë ai, por se pronari i biznesit mund të japë bilancin e saktë të mallrave që kishte në magazinë.

Ora 11:53 Mjeku: Të lënduarit patën vështirësi në frymëmarrje

Në një prononcim për mediat mjeku Rei Malo bëri të ditur gjendjen shëndetësore të të lënduarve. Ai sqaroi se dy të lënduarit kanë pasur vështirësi në frymëmarrje duke shtuar se atyre u është dhënë ndihma mjekësore. 
“Shtë dhënë ndihma e parë, njëri është transportuar në QSUT. Tjetri iu dha ndihma mjekësore këtu.” u shpreh mjeku

Ora 11:50 Gjashte të lënduar nga flakët e zjarrit

Dy punonjës të cilët ndodheshin në magazinë mbetën të lënduar nga zjarri. Punëtorja 25-vjecare me inicialet E.M dhe punonjësi 40-vjeçari me inicialet E.D mbetën të asfiksuar nga tymi dhe me djegie të lehta. Po ashtu e lënduar mbeti edhe 47-vjeçarja me inicialet D.M, vjehrra e punonjëses që u lëndua nga flakët. 47-vjeçarja kur ka parë zjarrin ka shkuar menjëherë në magazinë pasi e ka banesën afër për tu interesuar për nusen e saj por ka pësuar asfiksi dhe djegie si pasojë e flakëve. 
Ata janë transportuar në spital në repartin e djegies ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu të lënduar mbetën edhe tre punonjës të forcave zjarrfikëse të cilët u asfiksuan nga tymi. Ata jane dërguar në spital, por ndodhen jashtë çdo rreziku për jetën.

Ora 11:26 Siriani M.Raghed Hajjazi në vitin 2010 la nënshtetësinë shqiptare

Siriani M.Raghed Hajjazi ka qenë pjesë e 262 nënshtetasëve shqiptarë të cilët kanë vendosur në vitin 2010 që të heqin dorë nga shtetësia shqiptare. Është e paqartë se cili është shkaku i heqjes dorë nga shtetësia shqiptare, por me gjasa do të jetë arsyeja për t’u bërë shtetas të një vendi tjetër, pasi Shqipëria nuk lejon më tepër se 2 shtetësia.
Dekreti për lënien eshtetësisë shqiptare është firmosur nga ish-Presidenti Nishani.
Ora 11:16 Njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës
Më datë 13.04.2015, ora 09.15, në magazinën e firmës Bibtex, me pronar shtetas Sirian, ka rënë zjarr . Në magazinë kishte tapete dhe sixhade.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet zjarrfikëse si dhe shërbimet e policisë së rendit. 
Si pasojë e zjarrit të rënë në magazinë janë asfiksuar nga zjarri dhe janë transportuar në repartin e djegies shtetaset E.M 25 vjeçe punëtore , D.M, 47 vjeçe vjerra e shtetases E.M, e cila kur ka parë zjarrin ka shkuar menjëherë në magazinë pasi e ka banesën afar për tu interesuar për nusen . Të dyja janë jashtë rrezikut për jetën. 
Gjithashtu në spitalin ushtarak ka vajtur shtetasi E.D, 40 vjec, punonjës, i asfiskuar nga tymi,dhe djegie të lehta, jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka evakuuar të gjithë punonjësit që ndodheshin në magazinë si dhe personat përreth magazinës. Po punohet për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit. 
Zjarri brenda magazinës vazhdon , ku zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e tij.
Ora 11:15 Një punonjës i forcave zjarrfikëse është asfiksuar nga tymi
Gjatë përpjekjes për të shuar flakët e zjarrit një punonjës i forcave zjarrfikëse është asfiksuar nga tymi, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ora 11:05 Policia nis hetimin për shkaqet
Në momentin e rënies së zjarrit në magazinë kanë qenë dy punonjëse, por policia dyshon se mund të ketë qenë edhe një person i tretë për të cilin është duke hetuar.
Ora 10:40 Bashkëshortja e sirianit: Hera e dytë që na digjet biznesi
Bashkëshortja e pronarit sirian të kompanisë së tapetëve tha se është hera e dytë që që i vendoset zjarr biznesit të familjes së tyre. Më herët dyqani i ndodhur në zonën e Laprakës ku sirianët tregtojnë tapete, është përfshirë sërish nga flakët.
Sipas saj, “Biptex” operon prej 14 vjetësh në Shqipëri dhe sjell tapete nga vendet e tjera.  

Ora 10:20 Një person u asfiksua nga zjarri, është jashtë rrezikut
Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e asfiksisë nga tymi, por pas marrjes së ndihmës së parë nga autoambulanca ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ora 10:02 Mbërrijnë forcat zjarrfikëse në vendngjarje, nis shuarja e flakëve
Forca të shumta zjarrfikëse kanë mbërritur në magazinën e kompanisë “Bibtex” ku kanë nisur punën për shuarjen e flakëve. Po ashtu në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe një autoambulancë edhe pse nuk mund të konfirmohet ende nëse ka persona të lënduar.
Ora 09:57 “Bibtex” kompania e përfshirë nga flakët
Zjarri i rënë mëngjesin e sotëm në autostradën Tiranë-Durrës ka qenë pikërisht në magazinën e kompanisë “Bibtex”.