Dhuna ndaj punonjësve të HEC në Bulqizë, të plagosurit: Ishin 20 vetë, na goditën me…

Pesë punonjës të HEC-it të Valikardhës në Bulqizë janë dhunuar gjatë ditës së djeshme nga persona ende të paidentifikuar. Ata janë dhunuar tek vendi i quajtur Liqeni i Bardhë. Dy prej të punonjësve kanë marrë plagë të shumta dhe janë dërguar në spital për mjekim të specializuar.

Duke reaguar për ngjarjen, drejtori i HEC-it, Lulzim Lalosha thotë se kanë qenë të përfshirë rreth 20 persona. Lalosha dhe punonjësit e dhunuar thonë se 10 prej autorëve kanë ushtruar dhunë ndaj tyre, ndërsa shtojnë se 10 persona të tjerë qëndronin të fshehur.

Lalosha thotë se ata ishin të maskuar dhe të armatosur, ndërsa punonjësit thonë se autorët kanë qëlluar me armë në ajër.

Punonjësit e dhunuar thonë se autorët pasi i kanë goditur me gurë, mjete të forta dhe qytën e armëve, kanë dëmtuar të gjitha mjetet e firmës.

Dyshohet se shkak për ngjarjen mund të jetë konkurrenca, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.