Dha leje ndërtimi të paligjshme pranga ish-kreut të Aluizni Vlorë

444
Sigal


VLORË 
– Ish-drejtori rajonal i ALUZNI-t në Vlorë, Roland Tafilaj, është arrestuar sërish për shpërdorim detyre, ndërkohë që ka një çështje të hapur në Gjykatën e Apelit për të njëjtën akuzë. Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim  ish drejtorin e ALUIZNI-t në Sarandë, Vesel Koçiun, për të cilin në kuadër të këtij hetimi Gjykata e Sarandës ka caktuar masë arresti në burg. 

Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për disa ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në këtë qytet, si edhe për ish-drejtorin rajonal të ALUIZNI-t Vlorë, të cilët akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. 

Nga hetimi ka rezultuar se personat e akuzuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhënë leje legalizimi për një numër të lartë ndërtimesh dhe shtesa ndërtimesh, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
 
Policia ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Sarandës e cila ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Roland Tafilajn, ish-drejtorin rajonal i ALUZNI-t, Vlorë. Laert Canen, Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit dhe  Feti Deromenajn, Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë. Gjithashtu e njëjta Gjykatë ka vendosur masën arrest shtëpie për Manjola Nikollon, Përgjegjëse e Sektorit të Hartografisë.
 
Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimin bazuar në një kallëzim të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria ka evidentuar të paktën 24 raste të lejes së legalizimit për objekte shërbimi (lokale dhe hoteleri) në Ksamil, të cilat janë ngritur në vijën bregdetare ose pranë saj, si edhe në zona arkeologjike, muzeale e turistike. Pra, në zona ku është totalisht e palejuar të ndërtohet dhe, rrjedhimisht, as të legalizohen. 
 
Ndërkohë, Prokuroria e Sarandës po vijon hetimet edhe për një numër të madh objektesh, të cilat dyshohet se janë legalizuar në kundërshtim me ligjin në zonën e Sarandës dhe për të cilat kanë përgjegjësi bashkërisht shtetasit, ndaj të cilëve është vendosur masa e sigurisë arrest me burg. Masat ndaj tyre janë ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.

Roland Tafilaj, për të cilin gjykata e Sarandës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për “arrest me burg”, është dënuar pak javë më parë nga Gjykata e Vlorës për të njëjtën akuzë (shpërdorim detyre) me 1 vit e gjysmë burgim. Kjo çështje është aktualisht në Apel dhe personi i pandehur po vijonte atë proces gjyqësor në gjendje të lirë.