Detajet/ Përplasja me armë në Kinostudio, një prej të plagosurve emër i njohur për policinë

578
Sigal

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga përplasja me armë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Kinostudio. Rportohet se për ngjarjen në fjalë, ku tre të rinj mbetën të plagosur, janë shoqëruar 20 persona, të cilët kanë qenë gjatë kohës që ndodhi përplasja mes dy bandave.

Po ashtu Bezat raporton se një nga personat e plagosur, Rivelino Mumajesi, 36 vjeç, nuk është një emër i panjohur për policinë. Kjo pasi ai në mars të 2017-ës është përfshirë në plagosje me armë zjarri të shtetasit Eduard Duka. Burime policore thanë se Mumajesi dyshohet se i dha ndihmë atentatorëve, duke qenë se ishte banor i zonës. Kujtojmë se nga të shtënat me armë të plagosur mbetën edhe shtetasit Juxhin Mumajesi, 24 vjeç dhe Ibrahim Durollari, 28 vjeç.

Konflikti fillimisht nisi në një lokal bastesh dhe më pas vazhdoi në rrugën “Aleksandër Moisiu”, duke lënë në vendngjarje rreth 20 gëzhoja. Sakaq, deri më tani nuk kemi asnjë person të arrestuar, si dhe asnjë armë të sekuestruar. Aktualisht policia po vijon me hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.