Detaje/ Përmbysja e makinës me targa ruse pranë sheshit “Shqiponja” , ja pista e “nxehtë” ku po hetohet

203

TIRANË

Një mjet  i blinduar “Mercedes Benz G Class” me targa ruse u aksidentua mbrëmjen e së mërkurës në hyrje të Tiranës pranë sheshit “Shqiponja”. Mjeti jo i zakontë shkaktoi shumë dyshime pasi në brendësi të tij policia nuk konstatoi asnjë person por ajo që zbuloi policia në vendin e ngjarjes ishte se nuk kemi të bëjmë me një aksident të thjeshtë. Megjithëse vlera e mjetit  është e konsiderueshme rreth 200 mije euro, drejtuesi  e braktisi atë fill pas përplasjes.

Aksidenti u mor përsipër nga 34-vjeçari shkodran Eldin Dergjini, vëllai i deputetes së opozitës së re për qarkun Shkodër, Amra Barova. Ai rezulton një person me precedent penal pasi është arrestuar në Shqipëri për kundërshtim të punonjësve të rendit si edhe armëmbajtje pa leje, ndërsa në Itali është  arrestuar për narkotikë.

Dergjini  tha para uniformave blu se ka qenë duke ecur me makinë me një shpejtësi normale kur  një mjet tjetër që iu afruan nga pas e goditi, çka e detyroi të humbasë kontrollin e të përplaset me bordurën, duke u batuar në rrugë.

Më pas 34-vjeçari ka thënë se është larguar në këmbë e më pas ka marrë një taksi dhe ka shkuar në spital. 34-vjeçari nuk ka dhënë sqarime të detajuara për mjetin. Ka pranuar se është në pronësi të tij dhe e ka sjellë vetëm pak kohë më parë nga jashtë vendit, por nuk ka kryer ende targimin e tij.

Pavarësisht dëshmisë së Eldin Dergjinit policia ka dyshime se ai mund të ketë marrë përsipër aksidentin për të mbrojtur një personazh të njohur të botës së krimit në kryeqytet që mund të këtë qenë në mjetin e aksidentuar. Dyshimet janë të bazuara në faktin se kohët e fundit ky mjet i blinduar me targa ruse dhe me xhama të zinj është parë në kryeqytet i përdorur nga i dyshuari. Burime nga polica thanë se personi që dyshohet se ishte në ne benzin G class prej kohësh lëviz me mjete të blinduara pasi i druhet një atentati.

Për të hedhur më tepër dritë mbi këto dyshime, Policia e Tiranës ka mbledhur pamjet e kamerave  të sigurisë në zonë për të zbuluar kush ishte në drejtimin e mjetit dhe nëse ishte një aksident apo një sulm ndaj mjetit të aksidentuar.

Të dhënat e mjetit me targë ruse H001CH 199 si dhe numri i shasisë i janë dhënë Interpol  Tiranës e cila po kryen verifikime me agjencitë partnere për të kuptuar origjinën e këtij mjeti dhe nëse ka ardhur në rrugë të ligjshme në Shqipëri. Paraprakisht është verifikuar se targat e mjetit janë të dublikuara, pasi ato rezultojnë edhe në një mjet tjetër Bentley në Rusi.