Dështon grabitja në Dibër,1 i vrarë dhe 4 të plagosur, mbyllet kufiri

441
Sigal

Një i vdekur dhe 4 të plagosur është bilanci i një grabitje të dështuar në Dibër, territorin e Maqedonisë.  Dyshohet se 6 persona të maskuar mes tyre disa shqiptarë kanë tentuar të vjedhin një argjendari në në qendër të Dibrës. Viktima është një nga autorët e vjedhjes, i dyshuar me origjinë nga Shqipëria, i cili ka qenë pjesë e grupit prej 6 të maskuarve që kanë hyrë në argjendarinë e vëllezërve Erebara në Dibër. Të plagosur kanë mbetur pronari i argjendarisë Mexhit Erebara, aktualisht i shtruar në Urgjencën e Shkupit. I plagosuri i dytë është një taksist Agron Cami, i cili ishte marrë peng në planin e grupit me maska, për mbërritjen dhe për largimin nga vendi i ngjarjes. Të plagosur janë edhe dy shtetas të Shqipërisë, të cilët janë në spitalin e qytetit, nën vëzhgimin e policisë, pasi dyshohen si bashkautorë të grabitjes. Policia maqedonase ka mbyllur të gjitha hyrje-daljet nga qyteti i Dibrës si dhe vendkalimin kufitar me Shqipërinë në Bllatë. Sipas mediave maqedonase një nga grabitësit është pikasur nga kalimtarët dhe njëkohësisht ka ndeshur në rezistencën e pronarëve të argjendarisë. Personat e tjerë që mbështetnin plaçkitësin qëndronin jashtë. Pas zbulimit të skemës, kalimtarët e rastit i janë vërsulur grabitësit për ta neutralizuar, dhe në këtë përleshje, janë shkrepur edhe armët.