Dëshmia befasuese e një 60-vjeçari: Më prenë rrugën dhe më rrahën keq, pastaj në makinë…

78
Një 60-vjeçar është sulmuar nga 3 persona të paidentifikuar gjatë mbrëmjes së djeshme, teksa po udhëtonte me makinën e tij nga Fushë-Preza në drejtim të Vorës.
Bëhet me dije se shtetasit G.P. i kanë prerë rrugën autorët e dyshuar, të cilët e kanë detyruar të ndalojë makinën dhe e kanë goditur me sende të forta.

I dëmtuari ka lajmëruar Policinë menjëherë sapo autorët janë larguar me ndihmën e një mjeti tjetër që i priste në anë të rrugës dhe është dërguar me urgjencë në spital. Burimet thanë se paraprakisht procedimi penal ka nisur me akuzën “dëmtime të tjera me dashje”, por po hetohet edhe ndonjë tentativë grabitje e mundshme.

Ndonëse autorët nuk kanë marrë asgjë në makinën tip “Kia” të 60-vjeçarit, ky i fundit ka deklaruar se pasi e kanë rrahur, 3 personat e panjohur kanë nisur të kontrollojnë në makinën e tij.

Megjithatë ai ka deklaruar se nuk ka pasur para apo sende të tjera me vlerë me vete dhe sipas tij mund ta kenë ngatërruar me ndonjë person tjetër.

Burimet thanë se personi i plagosur është pyetur nëse ka ndonjë problem personal me ndonjë person, apo ndonjë konflikt që mund të jetë përfshirë kohët e fundit.

Por, 60-vjeçari ka shpjeguar se nuk ka probleme dhe nuk i ka parë asnjëherë më parë personat që e sulmuan. Pavarësisht se sipas tij ata ishin të pamaskuar, ai nuk i ka njohur, gjë që shpjegon dyshimin e tij se ngjarja mund të jetë ndonjë ngatërresë.

Shtetasi me iniciale G.P., ka këmbëngulur para hetuesve se, nisur nga mënyra se si vepruan autorët, ngjarja ngjante si një grabitje e mundshme, por sipas tij ata mund ta kenë ngatërruar me ndonjë person tjetër, pasi nuk kanë marrë asgjë nga makina e tij. Policia tha dje se ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes.