Del nga burgu vëllai i Izet Haxhiajt

962
Ismet Haxhia, një prej të cilësuarve si bashkëpunëtor në vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u thotë përfundimisht “lamtumirë” qelive të burgut, ku qëndroi i izoluar për më shumë se 15 vite burg. Vëllai i Izet Haxhisë, ky i fundit ish-­truproja e ish­kryeministrit Sali Berisha, ka kapërcyer pragun e burgut të sigurisë së lartë në Peqin, afro dy muaj më parë, pasi ka përfunduar dënimin e drejtësisë për ngjarjen e 12 shtatorit 1998, që u konsiderua edhe si “vrasja e shekullit”. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bënë me dije për “Gazetën Shqiptare” se Ismet Haxhia u lirua më 21 janar 2016, ditën e hyrjes në fuqi të ligjit “Për amnistinë”, pasi i kishin mbetur më pak se dy muaj burgim, të cilat iu shuan menjëherë, duke i dhënë lirinë.
I kontaktuar nga “GSH”, Ismet Haxhia tha se është një qytetar i thjeshtë dhe lirimi i tij nuk përbën asnjë lajm. Ai theksoi faktin se ka shlyer dënimin e drejtësisë dhe se tashmë ka rinisur jetën e tij, pa dhënë ndonjë detaj të mëtejshëm. Më herët në 2009, gjatë një interviste të gjatë për “GSH”, Ismet Haxhia rrëfente gjithçka dinte lidhur me vrasjen e deputetit. Më vonë, “Gazeta Shqiptare” konkretisht në 2014­ën, ka botuar pjesë nga libri i Haxhisë, “Kronika e dhimbjes”, ku inxhinieri shprehet se vrasja e Azem Hajdarit nuk ishte një vrasje ordinere dhe jepte argumentet e tij.
Me lirimin e Ismet Haxhisë, për vrasjen e liderit të demokracisë Azem Hajdari, mbetet prapa hekurave vetëm Jaho Salihi Mulosmani, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm si ekzekutor i deputetit. Ndërsa, Izet Haxhia jeton në Turqi ku gëzon status azilanti politik. Ai qëndroi disa vite në burgjet turke, derisa drejtësia atje vendosi ta refuzonte ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, duke e lënë në liri të plotë. Mbi supet e Izet Haxhisë rëndon dënimi i pashlyer prej 25 vite heqje lirie.
Sigal