Del ekspertiza, 17-vjeçari u vra nga fadroma në Sharrë

482
Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklajt, në landfillin e Sharrës në Tiranë. Një grup ekspertësh të policisë, kanë marrë gjurmë gjaku në automjetin që drejtohej nga Edmond Kallari dhe i kanë krahasuar me gjakun e marrë nga viktima adoleshente. Nga të dhënat paraprake ka rezultuar se gjaku është i njëjtë, pra i i Arditit. Mësohet se automjeti që shkaktoi vdekjen e adoleshentit drejtohej nga Edmond Kallari, i cili është i arrestuar nga policia për këtë ngjarje.
Hetimet për këtë çështje janë shtrirë edhe ndaj drejtuesve të landfillit në Sharrë, të cilët kanë mohuar të kishin dijeni për punësimin e 17-vjeçarit. Një nga të proceduarit, Bujar Daja, i cili në fakt u lirua nga gjykata, ka pohuar se ka qenë i punësuar si ekonomist në firmën “3R” me administrator Edurim Teqja. Ai tha se punëtorët i merr në punë pronari i tij.
Daja është pyetur edhe për viktimën, nëse e njihte ose jo, ndërsa ka deklaruar se nuk e di që është punonjës i firmës. Përgjegjës i caktuar për mbarëvajtjen e punëve, por jo i regjistruar, është shtetasi Besnik Braha. Ai mësohet të ketë deklaruar se kishte shkuar tek landfilli rreth orës 10.00, ku ka dërguar naftë për të furnizuar mjetet. Më pas është larguar dhe rreth orës 12.30 të së dielës është njoftuar se tek plehrat dukej një kufomë. Pas kësaj është bërë njoftimi i policisë.
Ndërkohë, Braha dhe drejtues të tjerë të landfillit kanë deklaruar në polici se nuk e dinin dhe nuk e kishin parë ndonjëherë Ardit Gjoklajn. Ndërkohë dëshmitë e punonjësve të tjerë që seleksionojnë mbeturinat në Sharrë kanë deklaruar se 17-vjeçari ka hyrë me ta për të punuar mëngjesin e të dielës. Kjo gjë konfirmohet edhe nga kamerat e sigurisë në landfill.
Sigal