“Çudia”/Brenda kufirit me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Greqinë, asnjë rrënjë hashash!

577
Fillimisht bëri përshtypje në opinionin shqiptar, u përshëndet me deklarata e “nota nderimi” prej BE e SHBA dhe “u festua me daulle” për 6 muaj rresht nga mëngjesi në darkë prej “rilindjes”, si një arritje e madhe politike, policore, kombëtare e sociale, madje kryeministri akordoi edhe deklarata lavdie për ministrin e Brendshëm, për Drejtorin e Policisë së Shtetit, për Drejtorin e Policisë së Gjirokastrës, për kreun e FNSH dhe për shumë drejtues policie, duke lënë në atë betejë me krimin edhe një efektivë policie “Dëshmor”! U zhduk ferma e drogës me emrin “Lazarat”. Por pas 6 muajsh lavdie e kapardisje, “çuditërisht” u ngritën “ferma” të tjera hashashi në Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Berat, Skrapar e në çdo zonë të vendit, duke i kthyer 28.000 km2 të Shqipërisë, në një plantacion gjigant të mbjell me hashash. Policia e “Rilindjes” që brenda 1 muaji zhduku totalisht “fermën” e hashashit në Lazarat dhe instaloi në atë fshat rebel shërbimin policor aktiv, nuk veproi të parandalonte mbjelljen e hashashit kur zbuloi parcelat e para, kur dëgjoi telefonatat e parë në numrin “129”, kur lexoi informacionet e shkuar nga kryepolicët e rretheve, kur lexoi letrat e vajtuara nga ‘spiunët popullor”, por heshti dhe lejoji me heshtje e mos veprim që Shqipëria të kthehej në plantacion hashashi siç është realisht, që në çdo zonë nuk shikon më gjethe ferrash, lisi, shtogu e fije bari, por vetëm bimë hashashi që janë bërë sa “një pemë”! Lidhur me pushtimin e territorit nga kultivuesit e drogës, po bëhen akuza e kundër-akuza politike dhe personale mes palëve pozitë-opozitë si lidhje të kupolës së “rilindjes” me këtë “bujqësi intensive” të hashashit. Policia raporton se po korr e [po djeg përditë qindra hektarë të mbjellë e mijëra bimë hashashi dhe nuk po… mbarohet! Duke mos iu referuar akuzave të politikës se cili shtetar, ministër, drejtor policie e kryetar bashkie fiton 30% të sasisë dhe 40% të vlerës së shitjes, po bëjmë një pyetje konkrete:, që lidhet me mbjelljen me hashash, vetëm të territorit të Shqipërisë! 
Përse nuk mbillet hashash në kufirin me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Greqinë? 
Siç raportojnë “lajmet” që publikohen nga Ministria e Brendshme, rezulton se çdo copë tokë e Shqipërisë është e mbjellë me hashash, duke pasur një “hartë” të detajuar e të skeduar me 365 “ferma” droge, të evidentuara edhe nga shërbimet e huaja partnere! Sipas një zyrtari të lartë të policisë së shtetit, evidentohet një problem që nxjerr zbuluar faktin, se kultivimin në “shkallë kombëtare” të hashashit në Shqipëri e organizon, e mbron dhe e “vjel” një kupolë e caktuar e “rilindjes” e cila e ka lejuar këtë lloj biznesi! Fakti është ky: Hashashi po mbillet vetëm në territorin zyrtar shtetëror të Shqipërisë! Pyetja shtrohet qartë: Përse hashashi po mblidhet vetëm deri në centimetrin e fundit brenda territorit shqiptar? Sipas zyrtarit të lartë të Ministrisë së Brendshme, i cili ka investuar e vrojtuar kufirin shqiptar me katër shtetet fqinje Greqi, Mali i Zi, Maqedoni e Kosovë në përmbushje të një detyre speciale të ngarkuar prej “Europol”, rezulton se jashtë kufirit tokësor zyrtar të Shqipërisë nuk ka hashash të mbjell, nuk gjen jo parcela, por as 1 gjethe bime “për mostër”! Kjo “çudi” me hashashin që është bërë pyll deri në centimetrin e fundit të kufirit tokësor shqiptar dhe nuk është mbjell në shtetet fqinje, nuk është “rastësi”, por biznes i inskenuar, fijet dhe interesat e të cilit ‘gjarpërojnë” nëpër rrjetin e qarqeve mafioze rajonale, europiane ndërkombëtare, të cilët përveç mundësive të tjera si varfëria ekstreme, krimi i shfrenuar social, korrupsioni dhe “populli matuf”, kanë gjetur në Shqipëri edhe dy “privilegje” kryesore mbështetëse: 
1. Ka gjetur dhe po përdor si “garanci suksesi” për kultivimin e hashashit me kupolën e “Rilindjes”, e cila sipas informacionit të zyrtarit të lartë të policisë, ka bërë pazar me bosët e huaj për lejimin e këtij biznesi kriminal masiv. 
2. Po lejohet të shfrytëzoj lirshëm sistemin e korruptuar në çdo strukturë e qelizë shtetërore vendim-marrëse, ligj-zbatuese e ligj-kontrolluese.
Kujtojmë që Shqipëria kufizohet me kufi tokësor nga 4 shtete: Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Greqia! Si shpjegohet fakti i “çuditshëm”, që çdo centimetër katrore e Shqipërisë deri në çdo vijë kufitare me katër shtetet fqinje është e mbjellë me hashash, ndërsa sa nis centimetri i parë i territoreve tokësore të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Greqisë nuk shikon të jetë mbjellë asnjë… rrënjë hashash! Mos vallë toka dhe kushtet klimaterike të Kosovës, Maqedonisë, Greqisë e Malit të Zi nuk e zhvillojnë bimën e hashashit? Apo nuk ka ujë? Apo nuk territore të lira si male, pyje, kullota, kodrina, lugina? Apo në këto shtete, nuk ka “trima” si në Shqipëri? Ky realitet, fakton raportin sekret, se kultivimi i hashashit vetëm në territorin e Shqipëri në “pellgun” Greqi-Maqedoni-Mali i Zi-Kosovë, nuk është rastësi, por skemë dhe skenar i paramenduar dhe i mirë-organizuar, brenda të cilit qëndrojnë interesa financiare e mbështetje qarqesh të lidhur në këto interesa edhe nga jashtë kufirit shqiptar, duke zgjedhur e përdorur si “fushë prodhimi”… Shqipërinë e shitur!
———————–
Ja 5 pyetje që duan përgjigje
1. Përse u la të kultivohej masivisht hashashi? 
2. Si shpjegohet faktet, që mbjellja dhe prodhimi i hashashit menaxhohen e numërohen me inventar ‘rrënjë më rrënjë” nga drejtuesit e policive lokale, të cilët i kanë kthyer inspektorët e zonave në “vrojtues bimësh dhe brigadier prodhimi” fushash të hashashit? 
3. Përse nuk u përgjigjet policia dhe shteti, ankesave të banorëve të zonave, të cilët kanë mbetur pa pyje, pa toka, pa pemëtore, pa kullota e pa ujë, mbasi ua kanë zaptuar e rrëmbyer kultivuesit armatosur të hashashit? 
4. Përse policia nuk publikon një listë me pronarët e parcelave, ku është mbjellë drogë? 
5. Përse policia nuk publikon një listë emërore të emrave të atyre që kanë zaptuar tokat, pyjet, ujin dhe kullotat e fshatarëve dhe i kanë mbjellë me hashash? 
—————————
Raporti sekret/ Ja si ndahen zonat e kultivimit dhe të ardhurat nga hashashi
Një raport sekret i agjencive ligj-zbatuese ne Shqipëri, ka listuar plot 363 zona, në të cilat kultivohet kanabisi. Dokumenti është hartuar me ndihmën e partnereve nga Gjermania dhe Italia, duke dhënë një panorame te plote të trafikut të hashashit që “prodhon” miliarda euro fitime. Shqipëria konsiderohet një prej prodhuesve kryesor të kanabisit në Europë duke mundur te kaloje mbi 1 mijë ton marijuanë në vit. Trafikantët nga Jugu në Veri, bashkëpunojnë me drejtues lokale dhe oficerë të policisë, për të garantuar mbrojtjen e parcelave me drogë, kundrejt pagesës prej 10 euro për rrënjë, ose duke dhëne si këmbim 30% të prodhimit kur përpunohet. Të dhënat sekrete, kane evidentuar se trafikantet veç bandave të armatosura, po përdorin edhe “Dronët” për kontrollin e hapësirave me kanabis. raporti sekret, provon se hashashi ka mbuluar jo vetëm lumin e Vlorës, Tepelenën apo malësitë e Dukagjinit, por edhe zona të shumta në Fier, Berat e Skrapar, Kuçovë, Krujë, Dibër,Mat, Elbasan, Kolonjë, Korçë etj. Tonelatat me drogë të gatshme e të paketuar, ndjekin itinerarin e linjës tregtare Shkodër-Mali i Zi-Serbi-Hungari e më pas përfundojnë në Gjermani. Pas këtij stacioni, trafikantët e organizuar bashkëpunojnë ngushte me grupet shqiptare, prej të cilëve marrin hashashin dhe e çojnë në Itali e Greqi, më pas e Holande, Francë, Hungari, Çeki, Austri e vende të tjera! 


Sigal

Përparim HALILI