Çobanët hakmerren ndaj kolonizatorëve të hashashit

470
Është bërë “traditë” zyrtare burokratike, që sa herë bien zjarre në pyje, kullota, shkurre e në masive kodrinore me pisha nëpër rrethinat e qendrave të banuara, shërbimet e emergjencave civile, shërbimi pyjor, policia dhe pushteti lokal, dalin e deklarojnë variante të ndryshme, duke i quajtur “zjarr nga pakujdesia”, “zjarr nga vapa”, “zjarr i qëllimshëm”, “zjarr nga persona me të meta mendore”, “zjarr i vendosur nga çobanët e bagëtive, me qëllim për të rifreskuar kullotat”. Pikërisht këto zjarre, po shpërthejnë prej më se një muaji në shumë zona të vendit, por askush nuk po mundet të zbuloj shkakun, motivin, qëllimin dhe individët, apo grupet që i vendosin. Zjarri i fundit masiv ka përfshirë në 48 orët e fundit Shëngjinin dhe Lezhën, duke kthyer në hi qindra hektarë pyje, kullota, shkurre e masive pishash deri tek “gardhet” e banesave, por edhe duke detyruar pushuesit vendas e të huaj “të marrin arratinë”, përballë një situate dhe shteti të tillë, që në vend të garantoj mbrojtje nga zjarret, “shkon e ngrohet në flakët e tyre”. 
Çobanët po luftojnë me zjarre, kundër bandave të hashashit që u kanë zaptuar kullotat, tokat, ujin
Pyetja është kjo” Kush dhe përse po i ndez e po u “fryn” këtyre zjarreve masive në gjithë Shqipërinë, që “çuditërisht” po shpërthejnë në këto momente? Janë zjarre që vihen “për qejf”, apo për ndonjë konflikt interesash mes palëve, që luftojnë për kontroll territoresh? Cilat janë “duart” që vënë zjarret dhe për çfarë motivi? Një informacion që disponon Shërbimi i Emergjencave Civile dhe që ka ardhur në gazetën “Telegraf”, zbulon skenarin dhe motivin e vërtetë të shpërthimit të zjarreve masive që po djegin pyje, kullota, kodra me pisha e bredha, shkurre, pemëtore e gjithçka të djegshme që gjendet mbi sipërfaqet ku shpërthen zjarri. Po e nisim me një lajm, të botuar afro 1 muaj më parë në “Telegraf”, ku kemi denoncuar presionin, dhunën fizike dhe kërcënimet me armë për vrasje të banorëve të zonës, bërë “çetat” të cilat mbrojnë fermat e hashashit, duke mos i lënë as të afrohen e jo më të kalojnë apo të kullosin bagëti e të mbledhin shkarpa e të mbushin ujë në zonat e mbjella me hashash. Ata që kanë zaptuar pyjet, tokat, luginat, faqet e maleve e të kodrave e i kanë mbjellë me hashash, i mbrojnë këto me “çeta” të armatosura me “armë zjarri”. Banorët që kanë kullotat e fshatit, parcelat, luginat, tokat dhe kodrat e tyre të katundit ku kanë të drejtë kullosin bagëtitë, të bëjnë dru zjarri, të mbushin ujë e të mbledhin zahire dimri për bagëtitë, nuk lejohen prej bandave të armatosura të shkelin më në territoret e tyre private e komunitare, të mbjella me hashash! 

Në informacionet që na kanë ardhur nga shumë zona të Gjirokastrës, Pukës, Elbasanit, Lezhës, Vlorës, Beratit, Korçës, Dibrës, Përmetit, Ersekës, Sarandës etj, denoncohet ky fakt: Banorët nuk kanë ku ushtrojnë aktivitetin e tyre jetik ditor me tokën e bagëtitë, mbasi u janë zaptuar territoret nga kultivuesit e hashashit të cilët i mbrojnë ato me “grykën e pushkës”. Të bllokuar totalisht e madje të rrezikuar me jetë nëse denoncojnë, apo shkelin nëpër kullota, pyje, në toka e burime uji, banorët i janë drejtuar për ndihmë bashkive dhe policisë së shtetit në zona, për të ndërhyrë që të t’u rikthejnë territoret e pushtuara nga kultivuesit e drogës! Por shteti nuk ka folur e nuk ka ndërhyrë për t’u “çliruar” tokat. Madje, sipas banorëve, janë drejtuesit e njësive administrative, të bashkive dhe drejtuesit kryesorë të policisë në qarqe, rrethe, qarqe dhe deri në kupolën e Ministrisë së Brendshme, ata që mbështesin kultivuesit e hashashit të “punojnë të lirë e të qetë”, mbasi siç thuhet në shumë denoncim, ata bëjnë së bashku bankete e pazare për ndarje fitmesh nga hashashi! Madje thuhet se brenda muajve korrik-gusht 2016, banorët kanë dërguar ministrit Tahiri dhe kryeministrit Rama afro 2300 denoncime me emra bosësh droge, drejtuesish bashkie e shefash të lartë policie në zona, por nuk u është kthyer asnjë përgjigje konkrete! Të braktisur nga shteti, çobanët dhe banorët e kanë gjetur vetë “zgjidhjen” për të “çliruar” fshatrat, tokat, ujin dhe kullotat e tyre nga “kolonizatorët” e hashashit! Ata kanë nisur “betejën” duke përdorur zjarret që u vendosin kullotave, pyjeve, tokave, me qëllimin për të dëmtuar parcelat e mbjella me hashash, asgjësimi i të cilave largon “pushtuesit”. Sipas burimit të informacionit që ka ardhur në redaksi, thuhet se ky skenar e kjo lloj “arme” është futur në veprim 12 zona ku ka ferma hashashi, por thuhet se luftën me zjarre kundër fermave të drogës do ta përdorin edhe çobanët e banorë të fshatrave në 135 zona të tjera të vendit! 
Policia të mos arrestoj Gjonin dhe Lonin, por të “çliroj” zonat nga zaptuesit e drogës
Dje, policia e shtetit njoftoi se për zjarrin që ka “djegur’ Shëngjinin është prangosur çobani Preng Përgjoni, me akuzën se i ka vënë zjarrin kullotës e pyllit. Një lajm tjetër nga Gjirokastra na bëri me dije, se policia ka shoqëruar një çoban tjetër me emrin “Loni”, me akuzën e vënies së zjarrit në kullota e në pyll. Policia e ka të drejtë dhe detyrë ligjore të arrestoj e çoj përpara drejtësisë ata që u vënë zjarrin pyjeve e kullotave. Por në rastin e situatës masive që po ndodh me shpërthimin e zjarreve në pothuajse gjithë zonat e Shqipërisë, policia duhet të zbuloj shkakun e vënies së zjarreve masive që po bëjnë “hi” mijëra hektarë kullota, pyje, pemëtore, ullishte e kurora të gjelbërta pishash e bredhash në kodrat rrotull qyteteve! Dje, policia arrestoi psh., çobanin 63 vjeçar në Shëngjin se dyshohet “për vënien e zjarrit. Mund të arrestoj edhe çobanë të tjerë në Vlorë, Mallakastër, Korçë, Delvinë, Tepelenë, Elbasan, Skrapar, Berat, Ersekë, Pukë, Dibër, Sarandë e kudo ku zbulon se kanë vënë zjarret! Por nuk duhet të “harrojë” e të nënvleftësoj shkakun se përse po i vënë zjarret në pyje, kullota e male çobanët dhe banorët e zonave?! Shkaku u është dërguar mijëra herë drejtuesve të policisë në zona, drejtuesve të ministrisë së Brendshme, prefektëve dhe kryetarëve të bashkive me telefona e letra me emra e parcela konkrete të pushtuara nga bandat e drogës, duke u thënë edhe me lutje: – Kultivuesit e drogës na kanë pushtuar tokat, kullotat, malet e ujin dhe po na kërcënojnë me vrasje”. Por shteti vazhdon të hesht! Dhe çobanët që po u ngordhin bagëtitë e po “vdesin” edhe vetë mbasi marrë uji, toka, mali, parcela, energjia dhe rruga e fshatit, kanë nisur të përdorin zjarret, për të larguar bandat e drogës që nuk po i largon shteti. Ndaj, policia të mos arrestoj Gjonin dhe Lonin, por t’u çliroj banorëve tokat e pushtuara prej bandave të kultivimit të hashashit! 
Një denoncim nga Burreli: “Bandat e hashashit na kanë grabitur ujin me lejen e bashkisë, policia nuk ndërhyn”
Një informacion i ardhur tre ditë më parë nga Burreli, bëri prezent këtë shetësim: “jetojmë në një fshat të ish-komunës Macukull, aktualisht nën juridiksionin territorial e administrativ të Bashkisë Burrel. ja denoncimi: jetojmë ende në fshatrat Vig, Xire e Mazdedaj…, por nuk jemi as të qetë, as të sigurt për të punuar e jetuar të lirë në tokat tona! Na ka zënë halli me kultivuesit e hashashit, aq sa shpesh na ikën truri dhe bëhemi gati të armatosemi si fshat e të sulmojmë për të çliruar tokat, pyllin, malin dhe ujin që ata na kanë pushtuar me forcë, mirëpo tërhiqemi jo se kemi frikë, por sepse duam të jetojmë të qetë, duke iu jemi drejtuar bashkisë e policisë së rrethit. Bandat e drogës që kanë ardhur në zonën e në fshatin tonë dhe kanë ngritur femrat e drogës, na kanë marrë gjithë ujin e pijshëm. Kanë spostuar rrjetin e ujit dhe kanë zaptuar burimin kryesor natyral të malit Shëmri, por edhe gropat e ujit të bagëtive e të vaditjes së misrit, zarzavateve e pemëve dhe po i përdorin për vaditjen e hashashit. Ujin që na kanë rrëmbyer e ruajnë 24 orë me grupe të armatosur. kemi shkuar disa herë tek ata për të na rikthyer ujin, por nën kërcënime armësh, na kanë thënë se “… kanë paguar dhe kanë marrë leje me shkrim nga bashkia Burrel dhe nga administratori i ish-komunës, për përdorimin e ujit deri në fund të muajit shtator 2016 sa të piqet dhe korret droga, për këtë ka njoftim edhe policia”. Shkuam në bashki, por atje “kyçnin gojën” të gjithë drejtues e zyrtarë, duke na përcjell me premtimin “Do ta shohim, do flasim me policinë”. Shkuam dhe në polici, por atje na thanë: “Këto janë punët e baskisë, jo të policisë”. Një rast të tillë, gazeta “Telegraf” e ka denoncuar 1 muaj më parë, për ujin e grabitur prej bandave të hashashit në një fshat të Bashkisë Këlcyrë, pas një pazari të bërë mes kultivuesve dhe administratorit të ish-komunës.
Shteti nuk ka fikse zjarri as në zyrat e veta, përdor helikopter me depozita sa… 1 lavatriçe!
Prej më se një muaji, në shumë zona të vendit kanë rënë e po vazhdojnë të bien zjarre, që djegin e zhdukin çdo gjë bimore e pyjore mbi tokë. Qindra hektarë pyje e kullota janë djegur në Bulqizë, në Gjirokastër, në Pukë, Velipojë, Sarandë, Seman, Vlorë, Librazhd, Gramsh, Tepelenë, Dibër, Burrel, Ersekë, Mallakastër, Lezhë, Berat e kudo. Emergjencat nuk futen dot me automjete e me mjete të shuarjes së zjarrit, mbasi nuk ka rrugë. Në disa zona nuk ka auto-zjarrfikëse dhe presin sa të shkojnë nga Tirana, Durrësi, Fieri, apo Shkodra. Pushteti lokal nuk ka aparate për fikje zjarri as në zyrat e veta! Dhe vetëm del e hedh “një sy” nga vendet ku ka rënë zjarri. Shteti nuk ka infrastrukturë ajrore për shuarje zjarresh, por përdor ndonjë “helikopter të lodhur” që ka depozitë uji, sa një lavatriçe! Policia po kërkon zjarrvënësit dhe “fjalë pas fjale” dhe ndodh që prangos ndonjë të moshuar nëpër zona e stane! Po kush i ndez e u “fryn” faktikisht këtyre zjarre që djegin e zhdukin sipërfaqe masive, të cilat edhe nëse zëvendësohen mund të “rilindin” e të bëhen pyje dhe shkurre vetëm pas 20-30 vitesh? Pyjet janë pronë e bashkive dhe të shtetit e nuk janë pronë private të individëve. Po kështu, nuk besojmë se ka interesa direkt personash, mbasi përdorimi i pyjeve është ndaluar për 10 vite, me Ligjin Nr. 5/2016 “Për shpalljen e Moratoriumit në Pyje”, miratuar në datën 4 shkurt 2016. Pyetja shtrohet qartë dhe thjeshtë: Këto janë zjarre që vihen “për qejf, nga hedhja bishtit të cigares së kalimtarëve, apo janë zjarre që vihen si “luftë” palësh në konflikte interesash, të cilat bëjnë “luftë të heshtur” mes tyre për kontroll zonash? 
Sigal